E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga e mbyll sezonin me nje bilanc masakrues lidhur me trajneret

Gjermania dhe Italia kanë shkarkuar jo pak trajnerë, por rekordet e tyre janë asgjë nëse krahasohen me ato të Superligës shqiptare.

Një llogari e thjeshtë nxjerr nga janë bërë plot 19 shkarkime në 12 klube, gjatë një kampionati që ka pasur gjithsej 33 javë.

Pra, mesatarja është diçka më pak se dy trajnerë të hequr për çdo klub në një sezon dhe më shumë se një trajner i hequr çdo dy javë, diçka që nuk është se ka nevojë për koment.

Edhe më e rëndë bëhet gjendja, nëse llogarit se 12 ekipet kanë pasur gjithsej 29 trajnerë këtë edicion, pra gati një trajner për çdo javë.

Rekordmenët e sezonit janë Shkumbini i Peqinit dhe Bylis i Ballshit, me nga 4 trajnerë të larguar që nga shtatori e deri tani, madje ata përfunduan punë që disa muaj më parë.

Peqinasit kanë kaluar nëpër duar Josën, Canajn, Daiun dhe së fundi Milen.

Ballshiotët përgjigjen me Spahiun, Meton, Ilievskin dhe pikërisht Canajn.

Nuk mbeten prapa kryeqytetasit, Tirana e Dinamo, që kanë pasur nga 3 trajnerë në stol me bardheblutë që kanë provuar Starovën, Deden e Krstiçeviçin, ndërsa blutë ish-kampionë kanë pasur argjentinasin Blanko, pastaj Ilir Dajën dhe së fundi Mergjyshin.

Vetëm 3 klube nuk ishin prekur nga kjo sëmundje dhe bëhej fjalë për Flamurtarin, Laçin dhe Kastriotin. Përkatësisht, nuk u prekën Gugash Magani, Stavri Nica dhe Ramadan Ndreu, ndonëse Nica e dha një dorëheqje që nuk u pranua.

Por durrsakët e bënë lëvizjen, pikërisht tani në fund, duke larguar Edi Martinin dhe duke risjellë në stol pas disa vjetësh Hasan Likën. Edhe kampionia e re e Shqipërisë, Skënderbeu, nuk mundi ta mbyllte kampionatin me vetëm një trajner, ndonëse në këtë rast, Shkëlqim Muça dha dorëheqje, i pasuar nga Shpëtim Duro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›