E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri Murinjo ka marre gjithe pushtetin tek Reali i Madridit

Florentino Perez nuk pati alternativë tjetër. Një luftë për pushtet përfundoi tek Reali i Madridit dhe fituesi i saj ishte trajneri Murinjo, ndërsa humbës Valdano, ai që tashmë është ish-drejtori i përgjithshëm i klubit.

“Është e dhimbshme, por nuk kishte sintoni”, - u shpreh presidenti i Realit, duke shpjeguar vendimin në një konferencë për shtyp. Mediat spanjolle shkruajtën se Perez vendosi të krijonte një post të tipit anglez, pra të tipit të menaxherit dhe jo thjesht të trajnerit, pra Murinjo do të ketë pushtet mbi mënyrën sesi do të shpenzohen paratë për marrjen e futbollistëve, mbi lëvizjet e lojtarëve, pra gjithçka që ka të bëjë me anën teknike, ashtu siç ishte mësuar tek Çelsi dhe siç bën Ferguson tek Mançester Junajtid.

Përplasja mes Murinjos dhe Valdanos kulmoi pas ndeshjes me Getafen në kampionat, kur portugezi shpërtheu duke kërkuar mbrojtje të ekipit nga ana e klubit si dhe injoroi argjentinasin duke thënë se komunikonte vetëm me presidentin Perez dhe një drejtues tjetër, Hose Angel Sançez.

Vetë Valdano u shpreh se Murinjo kishte fituar një luftë të cilën ai vetë kishte dashur ta shmangte. Argjentinasi është një nga figurat e mëdha të Realit të Madridit, ish-lojtar i shkëlqyer, ish-trajner dhe më pas drejtues. Besohet se Murinjo është forcuar pas kësaj beteje, por njëkohësisht edhe do të duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për çdo mos sukses.

Kritika për trajnerin bëri edhe legjenda më e madhe “merenges”, Alfredo Di Stefano, duke e quajtur skuadër pa personalitet, por në këtë rast nuk ndodhi asgjë pasi Di Stefano është një ikonë që nuk preket, por edhe sepse nuk ka detyra funksionale në klubin me më shumë trofe në botë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›