Superliga, fitojnë Vora dhe Elbasani, barazim në Korçë

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ U luajtën sot tri ndeshjet e para të Javës së 9-të të kategorisë “Abissnet Superiore”.
Në ndeshjen hapëse të kësaj jave, Vora ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Vllaznisë, duke triumfuar me rezultatin 2-1 në një ndeshje të luftuar, ku emocionet nuk munguan deri në minutat e fundit. Golat u shënuan nga Kashari (16’) dhe Daka (85’) për Vorën dhe Balaj me penallti (89’) për Vllazninë.
Në orën 18:30 u luajtën dy ndeshjet e tjera.
Skënderbeu dhe Laçi u ndanë në barazim 1-1. Golat u shënuan nga Lagonidis (27′) për vendasit, teksa Traore barazoi për miqtë në minutën e 64-t.
Në takimin tjetër Elbasani-Partizani, të luajtur në “Elbasan Arena”, verdheblutë përmbysën në pjesën e dytë golin e Joviçiç (16′), me dy gola të shënuar nga Mazari (82′) dhe Nikaj (88′). Trajneri i ri i AF Elbasanit, Glen Daja regjistron kështu fitoren e parë në drejtimin e skuadrës elbasanase.
Java e 9-të do të mbyllet të enjten me dy takimet e fundit. Tirana do të përballet me Dinamo City në orën 13:30, ndërsa në orën 18:30 do të luhet sfida mes Egnatias dhe Teutës.