Të dhënat e Gjeoportalit Kombëtar, burim zyrtar i detyrueshëm për institucionet publike

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në rregullat e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor, duke përcaktuar përdorimin e detyrueshëm nga autoritetet publike të të dhënave zyrtare të vëna në dispozicion përmes Gjeoportalit Kombëtar ose shërbimeve të tjera të administruara nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).
Sipas vendimit, këto të dhëna përbëjnë burimin zyrtar referues për institucionet gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Autoritetet përgjegjëse mbajnë përgjegjësi për mbledhjen, përditësimin dhe saktësinë e informacionit.
Sipas këtij vendimi nuk lejohet krijimi apo përdorimi i të dhënave paralele për tematika që kanë të dhëna zyrtare të publikuara në Gjeoportalin Kombëtar. Përjashtime parashikohen kur legjislacioni i posaçëm përcakton shprehimisht një burim tjetër zyrtar ose kur ASIG-u jep autorizim të përkohshëm.
Hartat, planet dhe paraqitjet grafike që shoqërojnë projektaktet e paraqitura për miratim në Këshillin e Ministrave duhet të bazohen në të dhënat zyrtare të publikuara apo të depozituara për publikim në Gjeoportalin Kombëtar. Ato duhet të përdorin sistemin gjeodezik zyrtar KRGJSH dhe të respektojnë standardet kombëtare.
Nga këto kërkesa përjashtohen hartat dhe planet e hartuara sipas standardeve ndërkombëtare të ratifikuara, përfshirë standardet STANAG të NATO-s, si dhe hartat për qëllime specifike, ndër të cilat ato ushtarake dhe të navigimit detar.
Vendimi detyron autoritetet publike përgjegjëse për temat e gjeoinformacionit të caktojnë, brenda strukturave ekzistuese, një strukturë ose funksion për administrimin e këtyre çështjeve dhe bashkëpunimin me ASIG-un.
Kjo strukturë do të koordinojë krijimin, administrimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, do të sigurojë respektimin e standardeve dhe do të raportojë për zbatimin e procedurave të mbledhjes, përpunimit dhe përditësimit të të dhënave.
Në rast të konstatimit të devijimeve, ASIG-u njofton institucionin përgjegjës dhe kërkon masa korrigjuese brenda një afati të përcaktuar. Ndër devijimet përfshihen mosdepozitimi i të dhënave pranë ASIG-ut, mospërdorimi i sistemit gjeodezik zyrtar, mungesa e ndërveprueshmërisë teknike dhe përdorimi i burimeve jozyrtare kur ekzistojnë të dhëna zyrtare, jashtë përjashtimeve ligjore.
ASIG-u do të hartojë raportin vjetor të monitorimit, në bashkëpunim me autoritetet publike përgjegjëse. Gjithashtu, deri më 31 mars të vitit pasardhës, institucioni duhet të përgatisë Raportin Kombëtar të Monitorimit sipas modelit të përcaktuar në rregullat e legjislacionit evropian.
/m.m/a.f/r.e/