E Shtunë, 31 Tetor 2026

Susiç i druhet Shqipërisë: Është favorite

SHKRUAN: Jeton Selimi 27-05-2011 12:09

Me mendjen nga FIFA dhe UEFA, që do të mblidhet shumë shpejt për të vendosur heqjen e pezullimit të Bosnjes, trajneri i kësaj kombëtareje, Safet Susiç, ka grumbulluar lojtarët që do t’i nevojiten për të përballuar fushatën e fillimqershorit, kur boshnjakët do të ndeshen në Zenicë me Rumaninë, më 3 qershor, dhe katër ditë më pas me kuqezinjtë.

Të dyja ndeshjet kanë shumë vlera për të gjitha kombëtaret që bëjnë pjesë në Grupin D, pasi janë katër skuadrat që pretendojnë vendin e dytë në këtë grup. Shqipëria, Bosnja, Rumania dhe Bjellorusia do të luftojnë për të siguruar një vend në Euro 2012, ndaj beteja parashikohet e ndezur. Këtë nxjerr në pah edhe Susiç, që nuk kërkon të bëjë përjashtime në betejën mes katër kombëtareve. “Mendoj se gjithçka ende mbetet e hapur në grupin tonë. Franca është pretendentja kryesore dhe do ta mbyllë e para në grup, ndërsa për vendin e dytë konkurrojnë katër ekipe, ne (Bosnja), Shqipëria, Bjellorusia madje edhe Rumania, e cila pati një fillim të dobët, por me një fitore ndaj nesh, do të futej në garë për vendin e dytë”, ka deklaruar ish-trajneri i ekipeve turke, Ankaragucu, Rizespor, Ankaraspor dhe Istanbulspor, Safet Susiç.

Por ajo që i intereson më shumë tifozerisë shqiptare, është ndeshja e drejtpërdrejtë me Bosnjen, më 7 qershor. Në Zenicë kombëtarja kuqezi do të luajë mbase aktin më të rëndësishëm të këtyre eliminatoreve. Mirëpo, trajneri boshnjak thotë se për momentin nuk është duke menduar fare për takimin me Shqipërinë, pasi mendjen e ka te ndeshja e radhës kundër Rumanisë, e cila zhvillohet më 3 qershor. “Ende nuk jam duke menduar për përballjen me Shqipërinë, pasi i gjithë përqendrimi im është te ndeshja e radhës me Rumaninë. Në fakt kam kaseta të ndeshjeve me Shqipërinë, në mënyrë që ta analizoj lojën e kundërshtarit, por siç edhe thashë, Shqipëria vjen pas ndeshjes me Rumaninë”, theksoi Susiç. Trajneri 56-vjeçar, i cili për një kohë të gjatë ka veshur fanellën e klubit francez PSG, mendon se përveç Luksemburgut, të gjitha përfaqësueset e tjera nga Grupi D kanë gjasa për kualifikim në Euro 2012. Lider i Grupit D është përfaqësuesja e Francës me 12 pikë të grumbulluara. Vendin e dytë e zë Bjellorusia me tetë pikë, sa ka edhe Shqipëria. Bosnja renditet e katërta me shtatë pikë, derisa Rumania është e pesta me pesë pikë. Vendin e fundit e zë Luksemburgu me vetëm një pikë të fituar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›