E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo shpëton mes tensionit

Të gjithë tifozët blu kanë pasur një ankth brenda shpirtit: a do të arrinte Dinamo të përballonte presionin e mbijetesës? Përgjigjja erdhi në fushën e lojës, nga skuadra që gjatë tërë sezonit ka paraqitur në fushë një fanellë të dalë boje. Dinamo ka nxjerrë dhëmbët në sfidën më delikate të sezonit, duke dominuar formacionin lezhjan të Kullit dhe duke treguar superioritet gjatë tërë 90 minutave.

Blutë, të vetëdijshëm për rrëpirën ku ndodheshin, dalin në fushën e lojës me një motivim për t’u admiruar. Që në shkëmbimet e para të topit kërkojnë të vendosin diktatin ndaj Besëlidhjes, e cila duket se ka adaptuar taktikën më logjike: të qëndrojë në pritje të kundërsulmit fatal. Ferraj ka në këmbët e tij, që në sekondat e para një mundësi të mirë pas një goditjeje dënimi, por topin e tij e ka kontrolluar me lehtësi Xhika. Tensioni mes tifozërisë është prezent dhe ashpërsohet që në minutën e pestë, kur nisin ofendimet e ndërsjellta. Brkiç do të kishte një mundësi për të shënuar, por topin që i drejtohej kuadratit do ta largonte një mbrojtës. Dinamo këmbëngul dhe do të jetë sërish Ferraj, që në një tjetër goditje dënimi do ta detyrojë portierin Xhika të bëjë një pritje akrobatike. Skuadra e Mërgjyshit kontrollon të gjithë terrenin e blertë, por lë disa hapësira pas, që do të sjellin edhe befasinë e parë. Klodian Asllani, një ish-blu, ka bërë gjithçka mirë në një kundërsulm të shpejtë. Gjuajtja e tij, që në fakt nuk ishte aq e rrezikshme, kontrollohet keq nga Hoxha, që i jep mundësinë Likës të shënojë me portën bosh. Tifozët lezhnjanë janë në delir, por Dinamo nuk ka ndërmend të bëjë shpirtmadhen siç ka bërë në dy sezonet e fundit. Madje, blutë e ulin me këmbë në tokë formacionin lezhjan, kur barazojnë sapo nis topi nga mesi i fushës. Është Ferraj që do të shënojë golin për rezultatin 1-1, gol që do të sjellë irritimin e tifozërisë lezhjane, që do të godasë me gurë e sende të forta stolin dinamovit. Kryeqytetasit kërkojnë ta mbyllin ndeshjen që në pjesën e parë dhe Martinena do të kishte në këmbët e tij golin e avantazhit pas vertikalizimit të Opokut. Argjentinasi gjuan qetësisht dhe shënon për shifrat 2-1. Në pjesën e dytë, Dinamo e ka edhe më të lehtë, pasi kundërshtari është dorëzuar krejtësisht. Allmuça, nga brenda zones dhe i lënë i qetë nga qendërmbrojtësit lezhjanë, ekzekuton një goditje të fortë në trekëndësh. Asnjë shans për portierin Xhika. Është minuta e 54-ët. Besëlidhja demoralizuar, ndonëse Kulli bën tre ndërrime njëkohësisht për të ndryshuar diçka. Megjithatë është Dinamo ajo që shënon sërish. Emiljano Vila do të lërë firmën e tij në këtë fitore. Aksion i mrekullueshëm i Opokut, i cili driblon disa lojtarë deri në hyrje të zonës. Atje pason për Allmuçën, i cili shpik një asist të shkëlqyer në zonë për Vilën. Me këmbën e tij të preferuar, Vila imiton kapitenin duke shënuar në trekëndësh. Ndonëse nuk do të ketë me gola, blutë nuk do të tërhiqen nga ofensiva e tyre deri në fund të takimit, por përfundimi është ai i duhuri: Dinamo qëndron në Kategorinë Superiore, Besëlidhja në Kategorinë e Parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›