Suspendohen 12 futbollistë të Superligës së Kosovës

Plot 12 futbollistë të Superligës së Kosovës janë suspenduar për shkak të shprehjes së pakënaqësisë dhe protestimit ndaj vendimeve të arbitrave, ka njoftuar të premten Federata e Futbollit e Kosovës.
Komisioni i Garave dhe ai Disiplinor kanë mbajtur mbledhje të premten dhe kanë marrë vendime për ndeshjet e javës së 19-të që u zhvilluan në mesjavë. Komisionet kanë suspenduar Erdin Hashanin, Armend Kastratin e Visar Zogianin të Hajvalisë, Valdrin Rashicën, Arben Kastratin e Faruk Zenelin të Llamkos Kosovës, Dukagjin Gashin, Lulëzim Doshlakun e Qemajl Elshanin të Ferronikelit dhe Shpëtim Babajn, Sead Miftarin e Liridon Vocën të Trepçës.
Ndërkohë për shkak të mospërshkrimit të mirë dhe të saktë të situatave gjatë ndeshjes dhe mosrespektim të vendimeve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, janë suspenduar kontrollorët: Enver Qosa, Ahmet Gashi e Njazi Shuleta. Për shkak të mosrespektimit të plotë të rregullores së garave dhe lëshimeve në organizim janë suspenduar vëzhguesit Ahmet Turku, Rasim Gimolli, Isak Ejupi, Xhafer Dobra e Agim Hasani. Ndërkohë vërejtje për shkak të lëshimeve kanë marrë arbitrat Ergyn Janovaliu, Mentor Baliu, Nazmi Rraci e Jakup Musolli.
KE i FFK-së kohë më parë mori vendim që lojtarët që kundërshtojnë vendimet e arbitrave të dënohen edhe në rastet kur nuk ndëshkohen me kartonë. Të suspenduarit nuk kanë të drejtë loje këtë javë, ndërsa duhet të dorëzojnë deklaratat deri të hënën. /Indeksonline/