E Diel, 1 Nëntor 2026

Sveçla: Arsenali i armëve u gjet në fshatrat përreth varrezave masive në Zubin Potok

PRISHTINË, 20 gusht /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dolën sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediet për të dhënë më shumë informacion lidhur me gjetjen dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera gjatë operacioneve të zhvilluara në disa lokacione në Mitrovicën e Veriut.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçl, tha se një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake u gjetën në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty “ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive” dhe ku autoritetet kanë konfirmuar se kanë identifikuar mbetjet kockore të të paktën 23 personave.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përmeç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe fshehjen e trupave dhe krimeve”, tha Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.

Ai tha se tani armët do t’i nënshtrohen analizave për të kuptuar nëse të njëjtat janë përdorur për vrasjen e 23 personave që u gjetën në varrezat e dyshuara masive në veri apo edhe në raste të tjera.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t`i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuar, përfshirë ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.

Sipas tij, puna e institucioneve nuk përfundon këtu, por do të vazhdojë me zbardhjen e rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Nga Policia thanë se gjatë bastisjeve në 48 lokacione, u gjetën armë të ndryshme, të gjata, municione, pushkë gjuetie, armë të shkurtra, mjete shpërthyese, uniforma ushtarake etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, po ashtu tha se ka dyshime që armët të jenë përdorur për të vrarë anëtarët e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet mortore që u gjetën në Zubin Potok mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.

/REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›