E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Kontroll të gjurmueshmërisë së produkteve të akcizës

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Më 1 korrik 2026 ka hyrë në zbatim sistemi i ri i pullave fiskale i cili synon të modernizojë administrimin e pullave fiskale, duke kombinuar elementet fizike të sigurisë me teknologjinë digjitale.

Për të parë ecurinë e zbatimit të këtij sistemi të përmirësuar të pullave fiskale Drejtoria e Përgjithshme e Doganave zhvilloi një takim me përfaqësues të ALBTrace CO sh.a. dhe operatorë ekonomikë nga sektorët e duhanit, pijeve alkoolike dhe produkteve të tjera subjekt akcize.

Në takim, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, theksoi rëndësinë e zbatimit efektiv dhe të koordinuar të sistemit, me synim rritjen e eficiencës për operatorët ekonomikë dhe forcimin e kontrollit e gjurmueshmërisë së produkteve të akcizës.

Beja tha se, “një nga risitë kryesore është pajisja e çdo pulle fiskale me identifikues unik digjital, i cili lidhet me të dhënat përkatëse të produktit. Kjo mundëson gjurmimin dhe verifikimin e produktit përgjatë ciklit të tij të qarkullimit”.

Sipas tij, për herë të parë, edhe konsumatori mund të verifikojë autenticitetin e produktit përmes aplikacionit publik ALBConnect.

Një tjetër përmirësim i rëndësishëm është furnizimi me pulla fiskale të duhanit të prera dhe të gatshme për aplikim, duke eliminuar nevojën për përpunim të mëtejshëm nga operatorët ekonomikë.

Gjatë diskutimit, operatorët paraqitën çështjet e evidentuara në praktikë dhe u dakordësuan zgjidhje që lehtësojnë përdorimin e sistemit, duke ruajtur objektivat e sigurisë, kontrollit dhe gjurmueshmërisë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të vijojë monitorimin e zbatimit të sistemit dhe dialogun me operatorët ekonomikë, si dhe do të ofrojë mbështetje dhe trajnime për përdorimin e funksionaliteteve të tij”, u shpreh Beja.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›