E Diel, 1 Nëntor 2026

Sveçla viziton zonën kufitare ku dyshohet se u mor peng Vukashinoviç

PRISHTINË, 7 nëntor /ATSH/ Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla vizitoi sot vendin ku dyshohet të jetë arrestuar nga xhandarmëria serbe Milan Vukashinoviç.

Sveçla tha se në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara, tashmë është e ditur se duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, Vukashinoviç është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe dhe i njëjti pas plagëve të marra po trajtohet në spitalin e Nishit.

“Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që Vukashinoviç ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Sveçla theksoi se institucionet e Kosovës po vazhdojnë hetimet intensive në zbulimin e gjithë rastit dhe aktorëve, dhe në momentin e parë do të sillen para përgjegjësisë, si dhe do të merren masa për t’iu kundërvënë sjelljeve kriminale e destruktive të Serbisë në raport me Kosovën.

“I bëj apel bashkësisë ndërkombëtare që të shtojë presionin dhe ndërmarrë masa ndaj shtetit serb, në mënyrë që të ndëshkojë këtë sjellje destabilizuese, por edhe të parandalojë situata të tjera të cilat do të rritin tensione në rajon”, tha ministri në detyrë i punëve të Brendshme në Kosovë.

Milan Vukashinoviç, një serb nga Leposaviqi, dyshohet se është plagosur dhe më pas, gjatë fundjavës, është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në veri. Informacioni rreth plagosjes së Vukashinoviç u publikua në rrjetin X nga avokati Ivan Niniç.

Vukashinoviç u plagos nga të shtëna të shumta në shpinë, dhe siç thotë Niniç, njerëz të veshur me uniforma ushtarake, por pa shenja dalluese, në xhipe pa targa, dyshohet se ishin të përfshirë në kidnapim.

Avokati Niniç gjithashtu pyeti nëse dikush tjetër, përveç anëtarëve të ushtrisë serbe, mori pjesë në të shtënat, të cilat ndodhën të shtunën rreth orës 4 pasdite dhe ngjarjet që pasuan.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›