E Shtunë, 31 Tetor 2026

Swoboda sugjeron autonomi për Mitrovicën

Nënkryetari i grupit Socialdemokrat në Parlamentin Evropian, Johannes Swoboda, sugjeron se një lloj autonomie për serbët e veriut në kuadër të Kosovës do të mund të ishte një zgjidhje praktike për këtë pjesë.
Duke folur në një intervistë për BBC-në, Swoboda tha se me këtë zgjidhje veriu i Mitrovicës do të mund të ishte një lloj lidhje mes Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen.

Swoboda tha se edhe Prishtina edhe Beogradi do të jenë të detyruara të bisedojnë për çështje të interesit të përbashkët dhe vlerësoi se vendimi i GJND-së mund të jetë një lloj kushti dhe motivim për të filluar bisedimet.

BBC zhvilloi një bisedë me Swobodan dhe fillimisht i kërkoi më shumë sqarime se çfarë kishte menduar kur kishte sugjeruar pak kohë më parë se zgjidhja për veriun e Kosovës do të kërkonte një lloj "Daytoni" - duke iu referuar marrëveshjes që i dha fund luftës në Bosnje në vitin 1995.

Johannes Swoboda: Unë nuk them se duhet të parashihet një zgjidhje e posaçme për pjesën veriore. E tëra që them është se me vendimin që mund të marrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe bazuar në këtë vendim, Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë bisedimet e reja që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë, e cila do t'u jepte edhe shqiptarëve të Kosovës, por edhe serbëve të Kosovës dhe grupeve të tjera, si dhe Serbisë një lloj përmbushje të interesave të tyre. Kjo është e tëra që kam thënë.
Veriu i Kosovës luan një rol të madh dhe mendoj se, meqë situata është e paqëndrueshme, atëherë nga njëra anë duhet të ketë një kohezion të Kosovës dhe në anën tjetër Serbia duhet ta ketë fjalën e saj se si duhet të zhvillohen gjërat në pjesën veriore. Pra, duhet të shprehet një lloj interesi i përbashkët, një deklarim i interesit të përbashkët në atë pjesë dhe natyrisht në enklavat e Kosovës. Por duhet të jetë e qartë se veriu i takon Kosovës si një tërësi.

BBC: Mund ta them se ju jeni flisni për një lloj autonomie, ta quaj kështu, për veriun e Kosovës në kuadër të saj?
Johannes Swoboda: Mendoj se kjo është një mundësi dhe gjithashtu një mundësi praktike dhe e mirë. Prandaj mendoj se duhet të provohet që të arrihet kjo situatë. Mendoj se në këtë mënyrë pjesa veriore e Mitrovicës do të mund të ishte një lloj lidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen. Pra, një lidhje ku të dyja palët do të takoheshin, një vend ku të dyja palët do të provonin që të gjenin një formë të re të bashkëpunimit. Pra, mendoj se kjo është e mundshme nëse të dyja palët kanë vullnet për të gjetur një zgjidhje.

BBC: Ju e përmendët Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoni se bisedimet mes të dyja palëve do të fillojnë pas vendimit të Gjykatës, për statusin e veriut dhe disa çështje të tjera?
Johannes Swoboda: Mendoj se po. Dhe gjithashtu duhet të provohet të bëhet një gjë e tillë, sepse ende kemi një bllokadë meqë Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe në anën tjetër kemi një situatë kur shumë vende gjithashtu nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe disa vende anëtare të BE-së. Por vendimi i GJND-së mbase mund të jetë i paqartë, me elemente që do të mbështesin qëndrimin e Kosovës dhe disa të tjera që do të mbështesin qëndrimin e Serbisë.
Të dyja palët mund të marrin disa nga këto elemente si bazë për bisedime të reja. Por nëse në anën tjetër do të ketë një vendim që shkon qoftë në favor të Kosovës ose të Serbisë, atëherë pala tjetër duhet ta respektojë vendimin, por edhe në atë rast disa bisedime do të duhet të jenë të nevojshme për të ecur përpara në një mënyrë më konstruktive drejt një të ardhmeje.

BBC: Por qëndrimet e palëve kanë shumë dallime. Serbia thotë se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, kurse Prishtina zyrtare ka deklaruar se asnjëherë s'do të hapë bisedimet për statusin. Si të pajtohen këto qëndrime shumë të kundërta?
Johannes Swoboda: Është plotësisht e qartë. Nëse Serbia mban qëndrimin e saj ajo mbase nuk do t'i bashkohet BE-së. Nëse Kosova vazhdon të mbajë qëndrimin e saj ajo nuk do të ketë vende të reja që do ta njohin atë. Prandaj të dyja palët janë në një lloj status-quoje, por ato e dinë se kjo status-quo nuk është e qëndrueshme për të ardhmen. Prandaj të dyja palët janë të detyruara të bisedojnë dhe vendimi i GJND-së mund të jetë një lloj kushti dhe motivim për të filluar bisedimet.

BBC: Por çfarë më saktësisht thoni ju se ato duhet të bisedojnë?
Johannes Swoboda: Mendoj se nuk është e domosdoshme dhe e dobishme që të ketë bisedime dhe para tyre të ketë parakushte. Por siç e thashë më heret, do të mund të ishte një rrugëdalje nëse të dyja palët pajtohen, megjithëse kjo nuk do të shënonte ndonjë ndryshim të madh, nëse veriu i Mitrovicës nuk do të kishte një lloj autonomie dhe nuk do të kishte aktivitete të tjera në favor të pakicës serbe, ose ndonjë masë shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Prandaj mendoj se ndoshta nuk do të ndodhë ndonjë ndryshim i madh menjëherë, por ndoshta një ndryshim hap pas hapi me qëllim që t'i jepet Kosovës një sinjal i qartë i pavarësisë dhe i njohjeve të tjera dhe në anën tjetër t'i jepet Serbisë një ndikim më i madh në zhvillimet në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›