E Hënë, 2 Nëntor 2026

Synonte kandidimin për një mandat të dytë, Aida Hajnaj nuk dorëzon dokumentet për kreun e BKH

Aida Hajnaj nuk është kandidate për një mandat të dytë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa burimet brenda SPAK thonë se emri i saj u përjashtua pasi nuk dorëzoi dokumentet e duhura për vijimin e garës.

Komisioni i Përzgjedhjes së Kandidaturave kishte lënë afat 7 majin në mënyrë që kandidatët të depozitojnë dokumentacionin e duhur, por Hajnaj nuk e kreu këtë proces, duke e përjashtuar nga gara.

Tashmë Prokuroria e Posaçme pritet që të rihapë garën për kandidaturat e tjera, të cilët do t’i nënshtrohen disa procedurave.

Procesi i emërimit të drejtorit të ri do të kalojë në 7 faza, testi i arsyetimit logjik, kontrolli mjekësor, testi fizik, ese me shkrim, intervistë dhe më pas bëhet verifikimi i figurës, deklarimi i aseteve dhe testi i poligrafit.

Më 22 prill, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi çeljen e procedurës së riemërimit të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit për zëvendësimin e Aida Hajnajt, së cilës i mbaron mandati në datën 31 gusht.

SPAK tha se Komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave përbëhet nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Sipas ligjit, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e drejtorit të BKH-së e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptarë, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret e duhura.

Kriter kryesor është që kandidati të mos jetë i lidhur me politikën, rrjetet e spiunazhit dhe komunizmin.

Procesi i riemërimit të kreut të BKH-së do të kryhet duke kaluar në shtatë 7 faza të ndryshme.

Aida Hajnaj u emërua në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit më 30 korrik të vitit 2020.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›