Sytë e fëmijëve në rrezik, miopia po rritet-Nga “syri digjital” te problemet e tjera të shikimit

Pak javë kanë mbetur nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe ata që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës duhet të jenë plotësisht të vaksinuar dhe të kenë kryer kontrollin e detyrueshëm të shikimit.
Nga vizitat e para që kanë nisur pranë Poliklinikës Qendrore, doktoreshë Zana Zhuka konstaton rritje të numrit të fëmijëve me miopi dhe, në pak raste, edhe strabizëm.
“Kemi një rritje të rasteve me miopi që ka qenë trendi i 10 vjeçarit të fundit. Rastet që janë pastaj më shumë të vështira janë ato që kanë dhe strabizëm dhe që kanë një sy dembel, që duan ekzaminime më të detajuara për të bërë një konsultë akoma dhe më specifike, por këto janë raste shumë të rralla. Domethënë trendi për stabizmusin është ulur për fat këto vitet e fundit, por trendi i miopisë është rritur”, shprehet Zana Zhuka, okuliste, Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3, Tiranë.
I quajtur ndryshe si fenomeni i “syrit digjital”, mjekët shohin me keqardhje vetëm përkeqësim të marrëdhënies së fëmijëve me ekranet.
“Më tmerron fakti kur thonë që rrinë katër deri në pesë orë. Kjo është domethënë një humbje kohe totale sepse ti nuk përfiton asgjë ose vjen dhe rast se pas një viti që dalin me miopi sepse kanë abuzuar në mënyrë jashtëzakonisht shumë me përdorimin e telefonit. Domethënë nonstop telefoni. Non stop telefoni. Dhe prindi tregon që e mban dhe gjatë natës telefonin”, thekson ajo.
Shpesh u duhet të luajnë edhe rolin e psikologut me fëmijët, duke i këshilluar si të ruajnë sytë e shëndetshëm dhe duke i paralajmëruar për rrezikun e problemeve në shikim, nëse duan të zgjedhin disa profesione.
“..që mos kemi fëmijë që të kenë më vonë probleme me shikimin me pamjen binokulare që duan profesione të ndryshme në jetë që duan një pamje të fortë binokulare ose përdorimi i një makine. Nëse do punosh shofer taksie ti duhet të kontrollosh të dy pasqyrat. Pra duhet të kesh pamje binokulare”, shton Zhuka.
Rikontrolli i moshave parashkollore bëhet pas 4 muajsh, ndërkohë që mjekët sqarojnë se vizita te okulisti për fëmijët duhet të jetë e përvitshme. Mbushja e kohës së fëmijëve me aktivitete dhe ushqimi i pasur me betakaroten dhe vitamina të tjera janë këshillat që mjekët u japin çdo prindi.
/rtsh.al/