Sytë nga mbijetesa
Nëse në kreun e tabelës së Kategorisë së Parë gjithçka është e vendosur, në fund të saj klasifikimi zien. Tri skuadra, Iliria, Butrinti dhe Dinamo duhet të presin javën e fundit për të mësuar se kush prej tyre do të qëndrojë në Kategorinë e Parë dhe cila do të bjerë në Kategorinë e Dytë. Të trija sfidat janë shumë delikate, megjithëse në letër, skuadra e dënuar për të rënë në kategorinë e dytë duket Iliria.
Skuadra e Fushë-Krujës udhëton sot drejt Lezhës, ku përballë gjen Besëlidhjen edhe kjo e rënë në Kategorinë e Dytë. Për miqtë duhen tri pikë dhe një mrekulli. Butrinti, e ka fatin në duart e tij. Sarandiotët luajnë në fushën e tyre përballë Naftëtarit të vendit të fundit. Me shumë mundësi tri pikët do të merren pa probleme, madje Butrinti pritet të fitojë me goleadë.
Dinamo, përballë Pogradecit të dorëzuar
Për Dinamon është moment i së vërtetës. Skuadra 18 herë kampione e Shqipërisë do të luajë 90 minutat e fundit të sezonin me objektiv sigurimin e mbijetesës në kategorinë e parë. Përballë bluve kryeqyetetas në Selman Stërmasi do të jetë Pogradeci i cili nuk ka më objektiva në këtë sezon. Trajneri Edmond Dalipi shprehet i sigurtë për fitoren që në njëfarë mënyrë do të shmangte katastrofën.
Administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, e pranon se gabimin në përzgjedhjen e stafit teknik dhe të futbollistëve në fillim të sezonit, por shton gjithashtu se aleancat e çuan skuadrën e tij në këtë situatë delikate. Tek Dinamo pjesa më e madhe futbollistëve do të rikonfirmohen, ndërsa për stafin teknik do të vendoset pasi palët të ulen në tryezë.