Festa është në Lushnjë
Pas një sezoni të vështirë, dy skuadrat më të mira të Kategorisë së Parë, përballen në Roza Haxhiu. Festë për të dy tifozeritë dhe ndeshje prestigji
Pritja ka përfunduar. Lushnja nuk kishte nevojë të priste javën e fundit për të festuar. Rikthimi në Ligën Superiore ishte siguruar me kohë, por tashmë, më në fund ka ardhur edhe momenti për të festuar. Një qytet në festë, por jo e gjitha për të. Pjesë e festës do të bëhen edhe lojtarët e skuadrës mike të Partizanit, apo dhe tifozët e Demave të Kuq.
Të dielën në drekë, Kategoria e Parë, do të rrëmbejë vëmendjen, pasi do të vërë përballë dy skuadrat më të mira të këtij sezoni. Së bashku me Lushnjën sezonin e ardhshëm edhe Partizani rikthehet në Ligën Superiore. Matematika ka folur prej javësh. Dy skuadrat në fjalë janë ato që rikthehen mes më të mirave, e në Roza Haxhiu shkohet për të festuar.
Sigurisht, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se për 90-të minuta skuadrat do të kthehen armike të njëra tjetrës. Sfida ka edhe shumë prestigj. Diferenca mes Lushnjës se vendit të parë, me 65 pikë dhe Partizanit është e ndjeshme. 10 pikë nuk janë pak, e ndoshta një fakt i tillë i motivon miqtë që të luajnë fort e pse jo të redektutojnë disi këtë diferencë.
Trajneri i të kuqve të Partizanit, Hasan Lika është shprehur hapur se të tijtë udhëtojnë drejt kësaj transferte duke menduar vetëm për fitoren. Humbja e fazës së parë, përballë Lushnjes me rezultatin 1-0, ende nuk është harruar. Në fushën kundërshtare, Partizani do të kërkojë të bëjë më mirë. Vendasit, janë komodë e do të përpiqen vetëm të shtojnë gëzimin e tifozerisë së tyre, e cila do të jetë protagoniste e padiskutuar në stadium.