TEHERAN – Irani do të vazhdojë pasurimin e programit bërthamor, ndërsa bisedimet me SHBA-në dështojnë

TEHERAN, 3 maj /ATSH-DPA/- Irani nuk planifikon të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, tha sot ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi për televizionin shtetëror, ndërsa bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kufizimin e programit bërthamor të vendit u shtynë.
“Të gjitha vendet kanë të drejtë për një program bërthamor civil paqësor”, tha Araghchi, duke përsëritur se Teherani nuk synon të sigurojë armë bërthamore.
“Programi i tij i pasurimit nuk ishte pjesë e diskutimeve”, tha ai.
Ministri i Jashtëm hodhi poshtë kërkesat e SHBA-së për braktisjen e programit të tij të pasurimit.
Ai tha se ia kishte komunikuar këtë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Në vitin 2015, Irani pranoi të kufizonte programin e tij bërthamor. Ndër dispozitat e marrëveshjes ishte kufizimi i pasurimit në 3,67% dhe rezervat në 300 kilogramë uranium.
Pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, Teherani filloi pasurimin e uraniumit në 60% dhe tani ka rezerva që tejkalojnë 8000 kilogramë.
Një raund i katërt bisedimesh me Uashingtonin ishte planifikuar të mbahej të shtunën në Romë, por u shty pa u caktuar një datë e re.
Irani tha se arsyet logjistike qëndronin pas shtyrjes së takimit.
Vëzhguesit besojnë se vendosja e sanksioneve të reja ndaj kompanive që bëjnë biznes me naftën iraniane ishte shkaku i shtyrjes.
Ka pasur gjithashtu spekulime se të dyja palët janë aq larg një marrëveshjeje saqë progresi është i pamundur. //a.i/