Tensione mes tifozëve para ndeshjes Elbasani-Tirana, ndërhyn policia

TIRANË, 10 maj /ATSH/ Pak para sfidës mes Elbasanit dhe Tiranës, e fundit për këtë edicion të Superligës, në stadiumin “Elbasan Arena” është regjistruar një incident, ku tifozët vendas dhe ata miq janë përplasur fizikisht mes tyre.
Sipas medieve, pak para nisjes së takimit, pas sharjeve nga tribunat respektive, tifozët e Tiranës dhe ata të Elbasanit kanë kaluar gardhin rrethues dhe kanë zbritur në fushë, duke u përplasur në zonën pas portës.
Folësi i stadiumit ka bërë thirrje për qetësi, duke paralajmëruar masa në rast se situata do të vijonte. E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e policisë për të mos lejuar agravimin e mëtejshëm të tensioneve. Mediet bëjnë të ditur se tensioni ka qenë i lartë edhe jashtë stadiumit.
Sa i takon sfidës, Elbasanit i duhen pikët për vendin e parë, ndërsa në krahun tjetër Tirana kërkon pikët e mbijetesës. Kjo është java e fundit e këtij edicioni të Superligës, që tashmë sheh Flamurtarin të rënë nga kategoria, ndërsa Elbasani, Egnatia, Dinamo City dhe Vllaznia janë kualifikuar në “Final 4”.
Për mbijetesë janë ende në garë Tirana, Teuta, Bylis dhe Vora.
/a.f/