E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani mohon komplotin e dyshuar për të vrarë Donald Trump

TEHERAN, 9 nëntor /ATSH-DPA/- Irani ka mohuar fuqishëm se mund të ketë planifikuar të vriste presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, pas një akuze të bërë publike të premten nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baghaei tha se pretendimi është plotësisht i pabazuar dhe i pavërtetë.

Baghaei tha se akuza të ngjashme ishin bërë në të kaluarën dhe se përsëritja e tyre në periudhën aktuale ishte një “komplot i ulët” që synonte të ndërlikonte më tej marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Pak javë më parë, ekipi i fushatës së Trump njoftoi se ishte informuar nga Shërbimi Sekret Amerikan për kërcënime reale dhe konkrete nga Irani për ta vrarë atë.

Gjyqësori amerikan ka ngritur akuza kundër tre burrave, të cilët akuzohen gjithashtu për komplot për të vrarë një disident iranian. Për këta persona janë lëshuar urdhërarreste.

Gjatë mandatit të tij të parë si president i SHBA-së, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, vendosi sanksione të reja kundër vendit dhe e klasifikoi Korpusin elitar ushtarak të Gardës Revolucionare Islamike si një organizatë terroriste.

Në vitin 2020, ushtria amerikane vrau gjeneralin iranian, Qassem Soleimani në një sulm me dron në kryeqytetin irakian, Bagdad me urdhër të Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›