TEL AVIV – Dhjetëra të vrarë pas sulmeve izraelite në Qytetin e Gazës

TEL AVIV, 12 shtator /ATSH – DPA/ – Dhjetëra persona kanë humbur sot jetën dhe qindra të tjerë mbeten nën rrënoja pas sulmeve ajrore izraelite në Qytetin e Gazës, sipas burimeve mjekësore palestineze.
Shumica e viktimave raportohet në veri të qytetit, ku në një sulm të vetëm thuhet se janë vrarë 14 persona në një shtëpi.
Burimet palestineze thanë se 35 persona kanë humbur jetën që nga mëngjesi, kryesisht në pjesën veriore të qytetit, ndërsa informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Shumë njerëz mbeten ende të bllokuar nën rrënoja, sipas raporteve të pakonfirmuara.
Ushtria izraelite njoftoi se do të hetojë për incidentet dhe një zëdhënës publikoi një listë zonash ku banorët e Qytetit të Gazës mund të evakuohen. Zonat përfshijnë Nuseirat dhe Deir al-Balah në qendër të Gazës, si dhe disa lagje të Khan Younis në jug të territorit palestinez.
Ushtria theksoi se vepron kundër militantëve të lëvizjes islamike Hamas dhe grupeve të tjera të armatosura në qytetin e Gazës, duke u përpjekur të shmangë vdekjet e civilëve. Qindra mijëra palestinezë janë udhëzuar të largohen nga qyteti më i madh i Gazës përpara se ai të vihet nën kontrollin izraelit.
Organizatatat humanitare paralajmërojnë se evakuimi masiv mund të përkeqësojë edhe më shumë kushtet tashmë katastrofike për civilët, duke shtuar rrezikun për humbje të mëtejshme jete dhe një krizë humanitare në rritje. /Ad.Ab./