E Enjte, 5 Nëntor 2026

TEL AVIV – Hezbollahu sulmon Izraelin me 200 raketa pas vrasjes së komandantit

TEL AVIV, 4 korrik /ATSH-DPA/- Lëvizja shiite libaneze pro-iraniane Hezbollah ka sulmuar me rreth 200 raketa dhe drone në veri të Izraelit – në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e një prej komandantëve të tyre një ditë më parë.

“Si pjesë e përgjigjes ndaj sulmit dhe atentatit të kryer nga forcat izraelite në zonën Al-Housh në qytetin e Tiros… Rezistenca Islamike, Hezbollahu kreu sulme me më shumë se 200 raketa të llojeve të ndryshme”, thuhet në deklaratën e grupit.

Gjithashtu, raketat kishin goditur disa baza të ushtrisë izraelite.

Hezbollahu më vonë iu referua një sulmi të mëtejshëm ajror “me një skuadron dronësh”.

Nuk pati asnjë koment fillestar për sulmin nga ushtria izraelite.

Ushtria izraelite konfirmoi dje se kishte vrarë komandantin e “Njësisë Aziz” të Hezbollahut, Mohammed Naameh Nasr. IDF shtoi se njësia është përgjegjëse për lëshimin e raketave nga Libani jugperëndimor në territoret izraelite.

Izraeli dhe Hezbollahu – i mbështetur nga Irani – kanë luftuar pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës në Gazë.

Ekziston frika se konflikti mund të përhapet pasi Izraeli dëshiron që Hezbollahu të tërhiqet pas lumit Litani, 30 kilometra nga kufiri – siç përcaktohet në rezolutën 1701 të OKB-së. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›