E Enjte, 5 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraelitët protestojnë për marrëveshjen e pengjeve dhe zgjedhje të reja

TEL AVIV, 18 gusht /ATSH-DPA/- Pas përfundimit të raundit të fundit të bisedimeve për një marrëveshje armëpushimi në luftën e Gazës, mijëra njerëz në Izrael demonstruan sërish në favor të marrëveshjes së pengjeve.

“Në një tubim, nëna e një pengu të mbajtur nga organizata militante palestineze Hamas i bëri thirrje udhëheqjes së lidershipit izraelit të sigurisë të parandalojë kryeministrin Benjamin Netanyahu të shkatërrojë marrëveshjen”, raportoi e përditshmja izraelite Haaretz.

Shtetet ndërmjetësuese Katari, Egjipti dhe SHBA-ja shpresojnë se marrëveshja do të çojë në një armëpushim si dhe lirimin e pengjeve që mbahen ende në Rripin e Gazës.

“Edhe nëse kjo nuk është një marrëveshje e përsosur, është e vetmja marrëveshje që ekziston”, citohet të ketë thënë në një tubim babai i një prej pengjeve.

Protestat u zhvilluan në metropolin bregdetar të Tel Avivit, në Haifa dhe shumë vende të tjera në mbarë vendin.

Shumë demonstrues akuzojnë Netanyahun për sabotim të marrëveshjes dhe mungesë vullneti ndaj kërkesave të partnerëve të tij ultra-fetarë dhe të koalicionit të ekstremit të djathtë.

Ata janë kundër bërjes së lëshimeve ndaj Hamasit. Netanyahu është i varur prej tyre për mbijetesën e tij politike.

Demonstruesit kërkuan edhe një herë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja.

Në rast të zgjedhjeve të reja, Netanyahu mund të përballet me humbjen e detyrës së kryeministrit.

Kjo – nga ana tjetër – do të përshpejtonte ndjekjen penale të korrupsionit të dyshuar për të cilin akuzohet kryeministri.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja nuk arritën një përparim të premten dhe u shtynë, por u përshkruan si konstruktive.

Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite janë zvarritur për muaj të tërë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›