E Enjte, 5 Nëntor 2026

VJENË – IAEA: Situata në centralin bërthamor të Zaporizhias po përkeqësohet

VJENË, 18 gusht /ATSH-DPA/- Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se beson se situata e sigurisë në centralin bërthamor të Zaporizhias në qytetin jugor të Ukrainës, Enerhodar, po përkeqësohet pas një sulmi me dron në afërsi të tij.

Agjencia tha në një deklaratë se ekipi i saj u informua dje se një eksploziv i transportuar nga një dron kishte shpërthyer jashtë zonës së mbrojtur së centralit.

“Sërish ne shohim një përshkallëzim të sigurisë bërthamore dhe rreziqeve të sigurisë me të cilat përballet centrali bërthamor i Zaporizhias”, tha drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Grossi.

“Unë mbetem jashtëzakonisht i shqetësuar dhe përsëris thirrjen time për vetëpërmbajtje maksimale nga të gjitha anët dhe për respektim të rreptë të pesë parimeve konkrete të vendosura për mbrojtjen e centralit”, tha ai.

Sipas vëzhguesve, zona përreth centralit ka qenë shumë e kontestuar gjatë javës së kaluar.

“Pavarësisht të gjitha apeleve për vetëpërmbajtje, deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të zbutjes së luftimeve”, thanë ata.

Ditët e fundit janë raportuar disa herë dëmtime në afërsi të centralit.

“Transportet bërthamore janë projektuar për të qenë elastik ndaj dështimeve teknike ose njerëzore dhe ngjarjeve të jashtme, përfshirë ato ekstreme, por ato nuk janë ndërtuar për t’i bërë ballë një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak, dhe as që supozohet të jenë të tilla”, tha Grossi.

“Ky sulm i fundit nxjerr në pah cenueshmërinë e objekteve të tilla në zonat e konfliktit dhe nevojën për të vazhduar monitorimin e situatës së brishtë”, tha ai. //a.i./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›