E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Katz: Izraeli i gatshëm të rifillojë luftën me Iranin

TEL AVIV, 24 prill /ATSH-DPA/- Izraeli është gati të rifillojë luftën kundër Iranit, deklaroi dje në mbrëmje ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

“Sipas një deklarate të ministrisë, qeveria izraelite po pret miratimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Katz.

Sipas Katz, objektivat tashmë janë identifikuar, me qëllim shkatërrimin e dinastisë Khamenei dhe goditjen e infrastrukturës kyçe energjetike, industriale dhe ekonomike të Iranit.

Ai gjithashtu foli për mundësinë e kthimit të Iranit “në epokën e gurit”, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump gjatë konfliktit, të cilin Izraeli dhe SHBA-ja e nisën më 28 shkurt.

Një armëpushim është në fuqi prej më shumë se dy javësh dhe është zgjatur nga Trump të martën, megjithatë bllokada amerikane ndaj transportit iranian në Ngushticën e Hormuzit mbetet në fuqi.

Negociatat nuk kanë arritur ende në një marrëveshje afatgjatë paqeje.

Referenca e ministrit për një “dinasti” lidhet me transferimin e pushtetit në Iran, pas vdekjes së udhëheqësit fetar Ali Khamenei.

Djali i tij, Mojtaba Khamenei, u emërua pasardhës më 8 mars, një zhvillim që disa e kanë interpretuar si një kundërshtim të frymës së revolucionit të vitit 1979 kundër monarkisë trashëgimore nën sundimin e Shahut.

Megjithatë, Mojtaba Khamenei nuk është parë në publik që prej emërimit të tij, ndërsa raportimet sugjerojnë se ai mund të jetë plagosur rëndë në sulmin ajror që vrau të atin e tij. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›