QIPRO – Kallas: BE kërkon përfshirjen e ekspertëve bërthamorë në bisedimet për paqen me Iranin

QIPRO, 24 prill /ATSH/- Duke qëndruar jashtë çështjes së zgjatjes së armëpushimit Izrael–Liban, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas paralajmëroi se kërcënimet nga Irani mund të bëhen “më të rrezikshme” nëse ekspertët bërthamorë nuk përfshihen në bisedimet e paqes, raportoi BBC.
Duke folur në një takim të liderëve të BE-së në Qipro, Kallas tha se ekziston rreziku që çdo marrëveshje të jetë më e dobët se Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), marrëveshja bërthamore me Iranin e vitit 2015 – e arritur gjatë administratës së Barack Obama-s – nga e cila presidenti Donald Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
Sipas asaj marrëveshjeje, Irani kishte rënë dakord të kufizonte aktivitetet e tij të ndjeshme bërthamore dhe të lejonte inspektorët ndërkombëtarë në vend, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
“Nëse bisedimet janë vetëm për programin bërthamor dhe nuk ka ekspertë bërthamorë rreth tryezës, atëherë do të përfundojmë me një marrëveshje që është më e dobët se JCPOA-ja”, tha Kallas.
“Dhe nëse problemet në rajon, programet raketore, mbështetja e tyre për grupet përfaqësuese, si dhe aktivitetet hibride dhe kibernetike në Evropë nuk adresohen, atëherë do të përfundojmë me një Iran më të rrezikshëm”, shtoi ajo. //a.i/