TEL AVIV – Lapid: Marrëveshja me Hamasin në interes të Izraelit

TEL AVIV, 4 shtator /ATSH-DPA/- Udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid bëri thirrje sot për një marrëveshje me Hamasin për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për të liruar pengjet që ende mbahen nga grupi palestinez.
“Përfundimi i luftës është në interesin e Izraelit”, postoi Lapid në hebraisht në X.
Në të njëjtën kohë ai përsëriti thirrjen e tij për një ndryshim në udhëheqjen politike të Izraelit.
“Lufta do të vazhdojë për aq kohë sa të ekzistojë kjo qeveri”, tha ai.
“Qeveria nuk do paqe”, shtoi ish-kryeministri dhe kreu i partisë centriste “Yesh Atid”.
Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir i partisë ekstremiste të krahut të djathtë Otzma Yehudit, tha më herët se po punonte për t’i dhënë fund bisedimeve aktuale indirekte me Hamasin për një armëpushim në Rripin e Gazës.
“Izraeli nuk duhet të negociojë me vrasës”, tha Ben-Gvir.
Gjatë fundjavës, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftuan zbulimin e trupave të gjashtë pengjeve, duke provokuar një valë pikëllimi dhe zemërimi në Izrael. Sipas raportimeve të mediave, pengjet u qëlluan nga një distancë e afërt midis 48 dhe 72 orësh para se të gjendeshin trupat e tyre.
Lajmi nxiti qindra mijëra protestues në rrugë. Ata kërkuan një marrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura. Demonstrata të tjera janë planifikuar për sot.
Familjarët e pengjeve kanë akuzuar qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për sabotim të përpjekjeve për ndërmjetësim nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari me synimin për të siguruar një marrëveshje.//a.i/