TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli do të godasë Hezbollahun pa mëshirë, përfshirë Bejrutin

TEL AVIV, 15 tetor /ATSH-DPA/- Kryeministri Benjamin Netanyahu tha dje në mbrëmje se Izraeli do të vazhdojë sulmet ndaj Hezbollahut në Liban pa mëshirë, një ditë pasi militantët e mbështetur nga Irani nisën një sulm me dron në një bazë izraelite që vrau katër ushtarë.
Deklarata e Netanyahut erdhi pasi avionët izraelitë goditën pozicionet në Liban, duke përfshirë një shtëpi në veri të vendit ku zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thanë se ishin vrarë të paktën 21 persona.
“Do të doja ta bëja të qartë: Ne do të vazhdojmë të godasim Hezbollahun pa mëshirë kudo në Liban – përfshirë Bejrutin”, tha Netanyahu në bazën stërvitore të Brigadës Golani, e cila u godit nga një dron i Hezbollahut dje në mbrëmje.
Më shumë se 60 persona u plagosën në bazën, e vendosur pranë qytetit Binyamina në Izraelin qendror. Ishte një nga sulmet më të përgjakshme në Izrael që nga fillimi i luftës së Gazës pak më shumë se një vit më parë.
Organizata militante shiite e kërcënoi Izraelin me më shumë sulme nëse vendi nuk ndalonte ofensivën e tij në Liban.
“Ne po vazhdojmë të luftojmë. Ne po paguajmë një çmim të dhimbshëm, por kemi arritje të konsiderueshme që do të vazhdojmë t’i bëjmë,” u tha Netanyahu trupave në bazë, sipas një deklarate nga zyra e tij.
Përmendja eksplicite e kryeministrit për sulmet në Bejrut është e rëndësishme, pasi kishte raporte të pakonfirmuara më parë nga mediat izraelite se Netanyahu kishte udhëzuar forcat, të shmangnin sulmet në kryeqytetin libanez.
Nga e premtja deri të hënën në mbrëmje, nuk pati asnjë sulm ajror izraelit në Bejrut. //a.i/