TEL AVIV – Shërbimi sekret izraelit: Parandaluam sulmin e Hezbollahut ndaj zyrtarit të sigurisë

TEL AVIV, 17 shtator /ATSH-DPA/- Shërbimi i brendshëm sekret izraelit “Shin Bet” pretendon se ka penguar një sulm me bombë nga milicia shiite libaneze “Hezbollah” – që shënjestronte një ish-zyrtar të lartë të sigurisë izraelite.
“Sulmi ishte planifikuar në ditët në vijim”, sipas “Shin Bet”.
Sipas deklaratës, një pajisje shpërthyese ishte e pajisur me një detonator në distancë dhe ishte e lidhur me një kamerë dhe një telefon celular, gjë që do të lejonte shpërthimin e bombës nga Libani.
Shërbimi sekret izraelit akuzoi gjithashtu Hezbollahun si përgjegjës për një tentativë sulmi në një park në Tel Aviv, në shtator të vitit të kaluar.
Në fund të korrikut, një sulm izraelit në një shtëpi në një periferi të kryeqytetit libanez Bejrut vrau një komandant të rangut të lartë të milicisë shiite, Fuad Shukr. Hezbollahu u përgjigj duke kërcënuar me hakmarrje. //a.i/