E Enjte, 5 Nëntor 2026

TEL AVIV – Shtyhet udhëtimi i delegacionit izraelit në Katar

TEL AVIV, 24 korrik /ATSH-DPA/- Udhëtimi i delegacionit izraelit në Katar për negociata indirekte me grupin palestinez Hamas, i cili ishte planifikuar për të enjten, është shtyrë.

“Tani pritet të zhvillohet javën e ardhshme”, konfirmoi sot një përfaqësues izraelit. Data e saktë është ende e paqartë.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi për udhëtimin e delegacionit përpara nisjes së tij në SHBA. Delegacioni do të kryesohet sërish nga David Barnea, kreu i shërbimit të huaj të inteligjencës “Mossad”.

Barnea pritet t’i shpjegojë pozitën aktuale negociuese të Izraelit qeverisë së Katarit, e cila është në kontakt me udhëheqjen e Hamasit.

Përveç Katarit, Egjipti dhe SHBA-ja po ndërmjetësojnë gjithashtu në bisedimet, të cilat përqendrohen në shkëmbimin e 120 pengjeve të mbajtura nga Hamasi me të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite dhe në armëpushimin në luftën e Gazës.

Është e paqartë se sa nga pengjet në brezin e mbyllur bregdetar janë ende gjallë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›