E Shtunë, 31 Tetor 2026

TËSISË Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1,

P R O J E K T L I GJ  PËR  MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE TË BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe  83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti

 

Ky ligj rregullon masat e posaçme, të përkohshme dhe të jashtëzakonshme, mënyrën dhe procedurat e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, si dhe organizimin, funksionimin, kompetencat dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të ngarkuara për propozimin, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e programit të mbrojtjes.

 

Neni 2

Fusha e veprimit

 

Dispozitat e këtij ligji janë të zbatueshme në kuadër të procedimeve penale për krime të kryera me dashje, për të cilat ligji parashikon dënim me burgim jo më pak se 4 vjet, në minimum. Rrezikshmëria e këtyre krimeve dhe e autorëve të tyre duhet të jetë e tillë, që të justifikojë kryerjen e shpenzimeve të nevojshme, për mbrojtjen e një ose të disa personave.

Neni 3

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtme nënkuptohen:

1.      “Programi i mbrojtjes”, masat e posaçme, ndihmëse dhe të jashtëzakonshme, që zbaton Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të perosnave të mbrojtur, në kushtet e parashikuara nga ky ligj.

2.     “Dëshmitar i drejtësisë”, personi, i cili, në cilësinë e dëshmitarit ose të personit të dëmtuar, bën deklarime a dëshmon për fakte e rrethana, që përbëjnë objekt prove në një procedim penal dhe që, për shkak të këtyre deklarimeve a dëshmive, ndodhet në gjendje rreziku.

3.     “Bashkëpunëtor i drejtësisë”, personi, i cili vuan dënimin penal ose është i pandehur në një procedim penal për krime të kryera në bashkëpunim, që ndodhet në gjendje rreziku për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, të deklarimeve apo dëshmive për fakte e rrethana, që përbëjnë objekt prove në të njëjtin procedim penal ose në një procedim të lidhur.

4.     “Persona të lidhur”, personat, të cilët ndodhen në gjendje rreziku, për shkak të lidhjeve të gjakut, të martesës, të bashkëjetesës së faktit ose marrëdhënieve të ngushta personale, që kanë me dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë.

5.     “Persona të mbrojtur”, bashkërisht ose veçmas, dëshmitarët, bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe personat e lidhur  me ta, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 2, 3 e 4, të këtij neni.

6.     “Gjendje rreziku”, gjendja aktuale, konkrete dhe serioze, për shkak të së cilës jeta e shëndeti janë në rrezik, si pasojë e dëshmimit të dëshmitarit apo të bashkëpunëtorit të drejtësisë në procesin penal, për veprat penale, të parashikuara në këtë ligj.

KREU II

ORGANET PËRGJEGJËSE PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE TË BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË

Neni 4

Organet përgjegjëse

 

Organe përgjegjëse për përgatitjen, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë janë:

a)     Komisioni për vlerësimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë (“komisioni”);

b)     Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë (“drejtoria”).

Neni 5

Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë

 

1.     Organi përgjegjës për përgatitjen, ndjekjen dhe zbatimin e programit të mbrojtjes është Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si strukturë e posaçme qendrore e Policisë së Shtetit, pranë Departamentit për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila e shtrin veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

2.     Struktura dhe organika e drejtorisë miratohen nga ministri i Brendshëm.

3.     Çështjet, që lidhen me trajtimin dhe përfitimet e punënjësve të drejtorisë, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4.     Drejtoria ka buxhetin e vet, si njësi shpenzimi në buxhetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Administrimi i pasurive dhe fondeve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë së drejtorisë, dokumentimi i shpenzimeve dhe kontrolli i veprimtarisë financiare të drejtorisë bëhen në mënyrë të tillë, që të mos lejojnë identifikimin e të dhënave, me natyrë sekrete e operative.

Neni 6

Fusha e veprimtarisë së drejtorisë

 

 Drejtoria ka këto detyra:

a)     përgatit dhe dërgon për shqyrtim në komision propozimet e dërguara nga prokurori i Përgjithshëm, për pranimin në programin e mbrojtjes;

b)     kryen një vlerësim të kushteve, fizike dhe psikologjike, të personit të propozuar për t’u pranuar në programin e mbrojtjes dhe një vlerësim të gjithanshëm të gjendjes së rrezikut, me qëllim që komisioni të jetë sa më i informuar për përshtatshmërinë e personit me programin e mbrojtjes;

c)     vendos zbatimin e masave të përkohshme të mbrojtjes deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga komisioni, në rastet dhe mënyrën e parashikuar në nenin 18, të këtij ligji;

ç) pas marrjes së vendimit të komisionit për pranimin në programin e mbrojtjes, vendos masat, e posaçme dhe ndihmëse, të mbrojtjes, që do të zbatohen për personin ose personat e pranuar në program;

d)  përgatit dhe nënshkruan marrëveshjen e mbrojtjes me personat e mbrojtur sipas nenit 19, të këtij ligji;

dh)  ndjek zbatimin e programit të mbrojtjes;

e)      administron bazën e të dhënave, që lidhet me veprimtarinë e drejtorisë dhe ecurinë e programit të mbrojtjes dhe merr masa për t’i siguruar e administruar ato, në përputhje me shkallën e nevojshme të klasifikimit të informacionit, sipas dispozitave ligjore në fuqi;

ë)  administron pasuritë dhe fondet në dispozicion të drejtorisë për ushtrimin e veprimtarisë dhe zbatimin e programit të mbrojtjes, përfshirë marrjen me  qira të mjediseve të nevojshme për punë teknike e operative;

      f)  propozon dhe merr masa për bashkërendimin e punëve me institucione të tjera për zbatimin e programit të mbrojtjes ndaj personave të mbrojtur;

g)  ndjek çështjet e bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare ose të shteteve të tjera, në fushën e mbrojtjes;

 gj)  përgatit raporte periodike për veprimtarinë e zhvilluar dhe bën propozime për përmirësimin e legjislacionit, për zbatimin e programit të mbrojtjes ndaj personave të mbrojtur. Raportet e drejtorisë përmbajnë vetëm statistika dhe asnjë dispozitë ligjore, për të drejtën e informimit, nuk e vë drejtorinë  para detyrimit për t’u dhënë informacion, qoftë edhe në mënyrë të përmbledhur e të reduktuar, institucioneve shtetërore, shtypit apo publikut.

            Raportet periodike përgatiten çdo gjashtë muaj dhe i vihen në dispozicion komisionit.

Neni 7

Kompetenca të veçanta të drejtorisë

1.     Drejtoria, kur e sheh të nevojshme, në funksion të zbatimit të masave të mbrojtjes u drejtohet, me një kërkesë të arsyetuar, me shkrim, institucioneve të tjera shtetërore për:

a)     informacionin e nevojshëm;

b)     të mos u dhënë informacion enteve ose personave që, në kushte normale, kanë të drejtë ta marrin këtë informacion;

c)     t’i informuar, në çdo rast, kur persona ose ente të tjera bëjnë përpjekje të marrin informacion për personat e mbrojtur.

2.     Drejtoria, në zbatim të programit të mbrojtjes, ka të drejtë të përdorë identitete të rreme dhe t’u kërkojë institucioneve të tjera shtetërore të ndihmojnë në krijimin e tyre:

a)     për personat e mbrojtur;

b)     për punonjësit e drejtorisë, që kryejnë detyra konkrete, në përmbushje të detyrimeve, që burojnë nga ky ligj.

3.     Për efekt të përjashtimit nga përgjegjësia penale, personat, që përdorin identitete të rreme në zbatim të pikës 2, të këtij neni, dhe funksionarët publikë, që ndihmojnë në krijimin e këtyre identiteteve, do të vlerësohen se kanë vepruar në ushtrim të një të drejte ose në zbatim të detyrës së ngarkuar nga ligji, sipas nenit 21, të Kodit Penal.

Neni 8

Emërimi, lirimi dhe përjashtimi nga policia i punonjësve të drejtorisë

1.     Oficerët  e policisë në drejtori përzgjidhen nga radhët e punonjësve të policisë, që plotësojnë kriteret për t’u emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në përputhje me ligjet e aktet nënligjore në fuqi.

2.     Kandidatët për punonjës të drejtorisë i nënshtrohen verifikimit të personalitetit të tyre, nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme.

3.     Transferimi i oficerëve të policisë së drejtorisë në një detyrë tjetër në Policinë e Shtetit bëhet në përputje me procedurën e parashikuar në ligjin nr.9749, datë 4.6.2007, ”Për Policinë e Shtetit”, vetëm me pëlqimin paraprak, me shkrim, të oficerit.

4.     Marrja e masave disiplinore për punonjësit e drejtorisë dhe ankimi ndaj tyre bëhet në bazë të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”.

Neni 9

Përjashtimi i punonjësve të drejtorisë nga përgjegjësia civile

Ndaj punonjësit të drejtorisë nuk mund të ngrihet padi civile nga personat e pranuar në programin e mbrojtjes, për veprimet dhe/ose mosveprimet e kryera në mirëbesim gjatë ushtrimit të një detyre, të ngarkuar nga ky ligj.

Neni 10

Komisioni për vlerësimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë

1.     Për vlerësimin e propozimeve për pranimin në programin e mbrojtjes, ndërprerjen ose përfundimin e këtij programi, ngrihet komisioni për vlerësimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

2.     Komisioni kryesohet nga zëvendësministri i  i Brendshëm dhe në përbërje ka:

a)     Një gjyqtar                                                                    zëvendëskryetar;

b)     Drejtorin e drejtorisë                                                   anëtar;

c)     Një prokuror                                                                 anëtar;

ç)  Një oficer të policisë gjyqësore,

    nga Policia e Shtetit,                                                       anëtar.

3.     Zëvendësministri i Brendshëm dhe drejtori i drejtorisë janë anëtarë të komisionit për shkak të detyrës. Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit caktojnë, përkatësisht, një nga anëtarët, përfaqësues të tyre, në përbërje të komisionit.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, prokurori i Përgjithshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit caktojnë edhe nga një anëtar zëvendësues, të cilët do të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, kur ekziston një arsye, që i ndalon anëtarët respektivë të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit.

4.     Gjyqtari, prokurori dhe oficeri i policisë gjyqësore, që caktohen anëtarë të komisionit, duhet të jenë persona të besueshëm, me integritet dhe me përvojë profesionale në fushën penale, veçanërisht për krimin e rëndë dhe atë të organizuar.

5.      Anëtarët e komisionit caktohen në detyrë për një afat trevjeçar, me të drejtë riemërimi. Anëtarësia në komision përfundon përpara afatit:

a)      Kur anëtari nuk ushtron më funksion në institucion, që e ka propozuar ose për shkak të të cilit është emëruar;

b)     Me kërkesën e vet, të shoqëruar me arsye të bazuara;

c)     Për shkak të mungesës së pajustifikuar  në dy mbledhje radhazi të komisionit;

ç)  Për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe të rregullave të funksionimit të komisionit.

6.     Vendimi për përfundimin e qëndrimit në detyrë të anëtarit të komisionit merret nga organi përgjegjës për emërimin e tyre. Në rastin e shkronjës “b”, të pikës 5, të këtij neni, vendimi merret me kërkesë të vetë anëtarit, ndërsa në rastin e shkronjave “c” e “ç”, me kërkesë të komisionit.

7.     Gjyqtari, prokurori dhe oficeri i policisë gjyqësore, anëtarë të komisionit, nuk mund të marrin pjesë në diskutim dhe në vendimmarrje, kur vihen në dijeni se propozimi për pranim në program ka lidhje me procedime penale apo veprimtari, që hetohen ose gjykohen prej tyre. Ky ndalim vlen edhe kur ka konflikt interesash ose dyshime për njëanshmëri, të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në dispozitat e tjera ligjore në fuqi. Në raste të tilla, ata zëvendësohen nga anëtarët zëvendësues.

KREU III

PROGRAMI PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE TË BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË

 

 

Neni 11

Kushtet e përgjithshme për zbatimin e programit të mbrojtjes

 

1.      Kur zbatimi i masave të zakonshme të mbrojtjes për dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm, zbatohet programi i mbrojtjes, sipas këtij ligji, nëse ai pranon të bashkëpunojë me vullnet të lirë me prokurorinë dhe gjykatën, dhe, nëpërmjet deklarimeve dhe/ose dëshmisë së vet të plotë, të bërë pa kushte dhe rezerva, të japë të dhëna të bazuara, që përbëjnë prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e krimeve dhe të autorëve të tyre.

2.     Zbatimi i programit të mbrojtjes për dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë vendoset vetëm nëse ai ndodhet në gjendje rreziku, është i përshtatshëm për t’u përfshirë në program dhe me vullnetin e vet të lirë pranon e merr pjesë aktivisht në zbatimin e tij.

3.     Përshtatshmëria ka të bëjë me kushtet psikologjike, sociale dhe fizike dhe dëshmitarit ose të bashkëpunëtorit, të cilat duhet të jenë të tilla, që të krijojnë besim se ai do të zbatojë rregullat e programit të mbrojtjes dhe nuk do të vërë në rrezik jetën e shëndetin e vet, jetën e shëndetin e personave të tjerë. Nëse ka mundësi ndaj tij merret masa e ndryshimit të vendbanimit, si dhe e programit, në tërësi.

4.     Në rastin e dëshmitarit ose të bashkëpunëtorit të mitur, përveç rrethanave të mësipërme, duhet të vlerësohen edhe pasojat e pranimit në program për zhvillimin e tij psikosocial.

5.      Në varësi të rrethanave konkrete, bashkë me dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë mund të përfshihen në programin e mbrojtjes edhe personat e lidhur me to. Edhe në këtë rast, zbatohen rregullat, që parashikohen në pikat 1 e 2, të këtij neni.

Neni 12

Parimet e programit të mbrojtjes

1.      Programi i mbrojtjes nuk ka për qëllim të sjellë përmirësimin e gjendjes ekonomike të personit të mbrojtur.

2.      Drejtoria, komisioni dhe asnjë institucion tjetër shtetëror nuk do të përgjigjen për detyrimet financiare, që personat e mbrojtur kanë në çastin e pranimit në programin e mbrojtjes.

3.     Programi i mbrojtjes, si rregull, zbatohet për një afat të pacaktuar dhe mund të shtrihet në të gjitha fazat e procedimit penal, si dhe pas përfundimit të tyre.

4.     Kohëzgjatja e zbatimit të programit të mbrojtjes varet nga ekzistenca e gjendjes së rrezikut, përshtatshmëria e personit të mbrojtur në raport me masën e posaçme të mbrojtjes, që zbatohet, si dhe nga zbatimi, prej personit të mbrojtur, i detyrimeve të parashikuara në marrëveshjen e mbrojtjes.

Neni 13

Masat  e mbrojtjes

 

1.     Drejtoria vendos për personat e mbrojtur zbatimin e një ose të disa prej masave të posaçme të mbrojtjes, si:

a)     ndryshimi i identitetit;

b)     ndryshimi i vendbanimit;

c)     dhënia e dokumenteve të rreme;

ç)  mbrojtja e përkohshme e identitetit, e të dhënave dhe dokumenteve;

d)  dhënia e dëshmisë me një identitet tjetër dhe administrimi me mjete të veçanta, për deformimin e zërit a të pamjes së tij, dhe forma të tjera, të caktuara sipas ligjit;

dh) mbrojtja, fizike dhe teknike, në vendin ku qëndron personi, si dhe gjatë lëvizjeve të tij, përfshirë edhe ato për përmbushjen e detyrimeve ndaj organeve të drejtësisë.

2.  Drejtoria mund të vendosë që, përveç masave të posaçme të mbrojtjes, të zbatojë për personat e mbrojtur edhe një ose disa prej masave  të mëposhtme ndihmëse:

a)     Rehabilitimi social;

b)     Dhënia e ndihmës financiare;

c)     Rikualifikimi profesional;

ç)  Dhënia e këshillave dhe e ndihmës së specializuar ligjore;

d)     Masa të tjera, që mund të çmohen të nevojshme për rastet konkrete.

Neni 14

Përgjegjësia për zbatimin e programit të mbrojtjes

 

1.      Drejtoria përgjigjet për përgatitjen, bashkërendimin e punëve dhe ndjekjen e zbatimit të programit të mbrojtjes.

2.     Drejtoria bashkëpunon me ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, për çështje që kanë të bëjnë me ndjekjen dhe zbatimin e programit të mbrojtjes.

3.     Organet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, bashkërendojnë punën e tyre me drejtorinë, u përgjigjen kërkesave të ëksaj drejtorie dhe të prokurorit, si dhe njoftojnë për çështje e rrethana, që kanë të bëjnë me zbatimin e programit të mbrojtjes.

Neni 15

Administrimi i akteve, i dokumentacionit dhe i informaiconit

1.       Aktet, dokumentacioni dhe çdo informacion, që lidhet me propozimin, miratimin dhe zbatimin e programit të mbrojtjes, vlerësohen informacion i klasifikuar dhe mbahen e administrohen nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

2.       Aktet, dokumentacioni, të dhënat, si dhe çdo informacion, që zotërojnë dhe administrojnë ministritë e institucionet e tjera qendrore, për programin e mbrojtjes, vlerësohen “Informacion i klasifikuar”.

 

KREU IV

PROCEDURAT PËR MIRATIMIN DHE ZBATIMIN E PROGRAMIT

TË MBROJTJES

 

Neni 16

Propozimi për pranim në programin e mbrojtjes

1.     Të drejtën për të propozuar pranimin e një ose të disa personave në programin e mbrojtjes e ka prokurori i Përgjithshëm.

2.     Propozimi i prokurorit të Përgjithshëm për pranimin e një ose të disa personave në programin e mbrojtjes përmban, domosdoshmërisht, të dhënat e mëposhtme:

a)     Të dhëna personale të personit, që propozohet të mbrohet;

b)     Shpjegime për rëndësinë e deklarimeve të bëra apo që mund të sigurohen nga dëshmitari ose bashkëpunëtori i drejtësisë, si dhe arsyet përse dhënia e lirë e dëshmive nuk mund të sigurohet në mënyrë tjetër;

c)     Rrethanat në të cilat ose për shkak të të cilave dëshmitari a bashkëpunëtori i drejtësisë ka marrë dijeni për të dhënat dhe deklarimet, që ka bërë ose që mund të sigurohen prej tij;

ç) Të dhëna dhe shpjegime të tjera, që shërbejnë për të motivuar e mbështetur vlerësimin për gjendjen e rrezikut, ku ndodhet apo parashikohet të ndodhet personi, që propozohet të mbrohet;

          d) Informacione për gjendjen financiare të dëshmitarit;

        dh) Informacione të tjera, sipas vlerësimit të prokurorit.

3. Në rastin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, propozimi shoqërohet me përshkrimin e kushteve të bashkëpunimit me drejtësinë, të cilat do të bëhen pjesë e marrëveshjes së mbrojtjes, sipas nenit 37/a, të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 17

Shqyrtimi i propozimit për pranimin në programin e mbrojtjes

 

1.     Propozimi i prokurorit të Përgjithshëm për pranimin e një ose të disa personave në programin e mbrojtjes, së bashku me informacionin bazë, sipas nenit 14, të këtij ligji, depozitohen pranë Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, e cila kryen edhe funksionet e sekretarisë teknike. Kjo drejtori ia përcjell praktikën për shqyrtim kryetarit të komisionit jo më vonë se 24 orë nga data e depozitimit të saj.

2.     Prokurori i Përgjithshëm, kur është rasti, së bashku me propozimin i paraqet drejtorisë një kërkesë, ku parashtrohen edhe arsyet, sipas së cilës kjo drejtori, në përputhje me rrethanat konkrete, të zbatojë masa të përkohshme mbrojtjeje, deri sa të përfundojë shqyrtimi i propozimit të tij nga komisioni.

3.     Me marrjen e propozimit, kryetari i komisionit ngarkon drejtorinë të kryejë vlerësimin e kushteve, fizike dhe psikologjike, të personit të propozuar për t’u pranuar në programin e mbrojtjes, vlerësimin e gjithanshëm të gjendjes së rrezikut, si dhe përshtatshmërinë e personit me programin.

4.     Dëshmitari, bashkëpunëtori i drejtësisë ose personat e lidhur me ta, si elementë të përshtatshmërisë në programin e mbrojtjes, detyrohen të informonjë drejtorinë për çdo shkelje të mëparshme të ligjit, të kryer prej tyre, pavarësisht nëse janë dënuar apo jo për to. Në rastet kur bëhen deklarime për vepra penale, të kryera nga dëshmitari, bashkëpunëtori i drejtësisë ose personat e lidhur me ta, drejtoria njofton menjëherë prokurorin e Përgjithshëm.

5.     Mbledhjet e komisionit thirren nga kryetari, brenda 5 ditëve nga dorëzimi, në drejtori, i propozimit të prokurorit të Përgjithshëm. Në raste të veçanta dhe urgjente ky komision mblidhet menjëherë.

6.     Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme, kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij. Vendimet e tij janë të vlefshme, kur miratohen nga tre anëtarë të pranishëm në mbledhje.

7.     Komisioni merr vendim, jo më vonë se 10 ditë nga mbledhja e parë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 15 ditë nga data e depozitimit në drejtori, të propozimit të prokurorit të Përgjithshëm dhe të dokumentacionit përkatës.

8.     Aktet dhe çdo informacion për veprimtarinë e komisionit vlerësohen “Informacion i klasifikuar”. Aktet e përdorura dhe ato të prodhuara nga komisioni kthehen dhe ruhen në drejtori, përveçse gjatë kohës kur vazhdon shqyrtimi i çështjes.

9.     Rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe në rastet e ndërprerjes dhe të përfundimit të programit të mbrojtjes.

Neni 18

Masa të përkohshme të mbrojtjes

 

1.     Në raste të veçanta dhe urgjente, drejtoria, me kërkesën e prokurorit që procedon, vendos zbatimin e menjëhershëm të masave të përkohshme të mbrojtjes. Për këtë qëllim, drejtoria dhe personi i mbrojtur nënshkruajnë një marrëveshje të përkohshme mbrojtjeje. Prokurori i Përgjithshëm duhet të paraqesë propozimin për pranimin e personit në programin e mbrojtjes brenda 30 ditëve nga data e fillimit të zbatimit të masave të përkohshme.

2.     Masat e përkohshme të mbrojtjes vendosen në përputhje me gjendjen e rrezikut, në forma të tilla, që garantojnë, përkohësisht dhe paraprakisht, nivelin e domosdoshëm të mbrojtjes.

Neni 19

Marrëveshja me personin e mbrojtur

 

1.     Në një kohë sa më të shkurtër dhe në çdo rast, jo më vonë se 10 ditë nga data e miratimit të pranimit në programin e mbrojtjes, drejtoria përgatit marrëveshjen për zbatimin e programit (marrëveshjen e mbrojtjes) dhe merr masa për bisedimin dhe nënshkrimin e saj me dëshmitarin, bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe personat e tjerë të mbrojtur.

2.     Përpara se të nënshkruhet marrëveshja, bashkëpunëtori i drejtësisë detyrohet të informojë drejtorinë me hollësi për llojet dhe masën e pasurive të zotëruara prej tij. Nëse ndonjë nga pasuritë, që zotërohen nga bashkëpunëtori i drejtësisë, është produkt i veprave penale, e ardhur ose përfitim nga produktet e veprës penale, apo pasuritë, me të cilat janë përzier këto produkte, atëherë personi duhet ta deklarojë këtë fakt. Në rastet kur bëhet një deklarim i tillë, drejtoria njofton menjëherë prokuroin e Përgjithshëm.

3.     Drejtoria vë në dijeni prokurorin e Përgjithshëm për nënshkrimin e marrëveshjes së mbrojtjes. Përmbajtja e marrëveshjes, hollësitë për vendndodhjen e personit apo të identitetit të tij të ri nuk i bëhen të ditura prokurorit të Përgjithshëm ose prokurorit, që procedon.

4.     Përgjegjësitë dhe efektet e programit të mbrojtjes për drejtorinë dhe personin e mbrojtur fillojnë në kohën dhe mënyrën e parashikuar në marrëveshje.

5.     Në rastin kur personi i mbrojtur është i mitur ose është madhor, por i është hequr a kufizuar zotësia për të vepruar, në përputhje me parimet e interesit më të lartë të tij dhe ato të zotësisë për të vepruar, atij i merret mendimi për pranimin në program dhe për përmbajtjen e marrëveshjes. Në këto raste, dhënia përfundimtare e pëlqimit dhe nënshkrimi i marrëveshjes së mbrojtjes bëhen nga prindi ose kujdestari i tij.

6.     Marrëveshja e mbrojtjes nuk është marrëdhënie detyrimi, në kuptim të Kodit Civil. Personi i mbrojtur ose trashëgimtarët e tij nuk mund të kërkojnë në gjykatë ekzekutimin e kësaj marrëveshjeje dhe as dëmshpërblim, në rastet kur marrëveshja nuk është ekzekutuar apo kur ai pretendon se i ka ardhur ndonjë dëm.

Neni 20

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›