E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9374, DATË 21.4.2005, “PËR NDIHMËN SHTETËRORE”

P R O J E K T L I GJ  PËR  DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9374, DATË 21.4.2005, “PËR NDIHMËN SHTETËRORE”

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1,  të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të bëhen këto  ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

 

Neni 2, “Fusha e zbatimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 2

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për veprimtaritë, që ushtrohen në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të sektorëve të bujqësisë e të peshkimit.”.

Neni 2

Pas pikës 14, të nenit 3, “Përkufizime”, shtohen pikat 15 e 16, me këtë përmbajtje:

“15. Ndihma për riskun e kapitalit është financimi, që u bëhet ndërmarrjeve, ndërmjet pjesëmarrjes në kapital në formën e kuotave, të aksioneve ose obligacioneve, të konvertueshme në aksione, në fazat e para të rritjes/themelimit dhe administrimit të tyre.

16. Ndihma për mbrojtjen e mjedisit është çdo veprim, i ndërmarrë për të rregulluar apo parandaluar dëmet, që u shkaktohen mjedisit fizik ose burimeve natyrore nga veprimtaria e përfituesit të ndihmës, në mënyrë që të pakësohet shkalla e rrezikut, i cili vjen prej dëmit, ose të sigurohet përdorimi sa më efiçient i burimeve natyrore.”.

Neni 3

Në fund të nenit 5, “Ndihma për eksport”, pas fjalëve “... veprimtarinë e eksportit.” shtohen “... si dhe ndihma, që kushtëzohet me përdorimin e produkteve vendase, kundrejt produkteve të importuara.”.

Neni 4

 

Neni 8, “Ndihma “De minimis””, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 8

Ndihma “De minimis”

Ndihma është e lejueshme nëse ajo, pavarësisht formës ose qëllimit për të cilin jepet, nuk kalon vlerën 100 000 euro, për një periudhë financiare prej tre vjetësh, dhe, në të njëjtën kohë, nuk jepet për veprimtaritë e eksportit, nuk kushtëzohet me përdorimin e produkteve vendase kundrejt produkteve të importuara dhe përfituesi nuk është një ndërmarrje në vështirësi.”.

Neni 5

Në nenin 9, “Ndihma për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1.     Titulli ndryshohet në  “Ndihma në formën  e  shërbimeve këshillimore dhe për pjesëmarrjen në panaire, për ndërmarrjet e vogla e të mesme”.

2.     Shkronja “a” shfuqizohet.

Neni 6

Pas nenit 9 shtohet neni 9/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 9/1

Ndihma për ndërmarrjet e vogla, të sapokrijuara

 

Ndihma për ndërmarrjet e vogla, të sapokrijuara, të cilat janë regjistruar, për herë të parë, pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit  gjatë 12 muajve të fundit, lejohet nëse përmbushen kushtet e mëposhtme:

a)     Vlera e ndihmës nuk kalon masën 200 000 euro;

b)     Vlera vjetore nuk duhet të kalojë 33 për qind të vlerës së ndihmës së parashikuar në shkronjën “a”, më sipër;

c)     Intensiteti i ndihmës nuk duhet të kalojë 40 për qind të kostove të pranueshme për 3 vitet e para pas krijimit të ndërmarrjes dhe 30 për  qind në dy vitet pasardhëse;

ç) Kostot e pranueshme do të jenë kostot administrative, ligjore dhe këshillimore, që lidhen drejtpërdrejt me krijimin e ndërmarrjeve të vogla, si dhe kostot operacionale për  5 (pesë) vitet e para pas krijimit të ndërmarrjes. TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat e biznesit nuk përfshihen në kostot e pranueshme;

d)  Ndërmarrjet e vogla, të kontrolluara nga aksionarë të ndërmarrjeve, që janë mbyllur gjatë 12 muajve të mëparshëm, nuk mund të përfitojnë ndihmë, në rast se ndërmarrjet e lartpërmendura janë aktive në tregun përkatës apo në tregje, të lidhura me të.”.

 

Neni 7

Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 10

Ndihma për punonjësit në vështirësi dhe me aftësi të kufizuar

Ndihma për punonjësit në vështirësi dhe për punonjësit me aftësi të kufizuar lejohet nëse përmbushen kushtet e mëposhtme:

a)     Intensiteti i ndihmës nuk duhet të kalojë 75 për qind të kostove të pagave, për punonjëist me aftësi të kufizuara, dhe 50 për  qind të kostove të pagave, për punonjësit në vështirësi;

b)     Kostot e pranueshme janë kostot mesatare për një periudhë jo më shumë se 12 muaj, nga çasti i marrjes në punë të një punonjësi në vështirësi, dhe për çdo periudhë të caktuar, që është marrë në punë, një punonjës me aftësi të kufizuar;

c)     Intensiteti i ndihmës për kompensimin e kostove shtesë për punonjësit me aftësi të kufizuar nuk kalon masën 100 për qind të kostove të pranueshme.”.

Neni 8

 

Në nenin 11, “Ndihma për trajnim”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1.     Në shkronjën “a” numri “35” bëhet “45”.

2.     Në shkronjën “b” numri “50” bëhet “60” dhe numri “70” bëhet “80”.

Neni 9

 

Pas nenit 13 shtohen nenet 13/1 dhe 13/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 13/1

Ndihma për mbrojtjen e mjedisit

 

Ndihma për mbrojtjen e mjedisit mund të jepet vetëm për:

a)     investim për nxitjen e energjisë nga burime të rinovueshme të energjisë dhe intensiteti i saj nuk kalon 45 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot shtesë, që prodhon/mbart përfituesi, krahasuar me një impiant konvencional, me kapacitet të njëjtë. Intensiteti i ndihmës rritet me 20 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe me10 për qind për ndërmarrjet e mesme.

b)     Investim për menaxhimin e humbjeve të ndërmarrjeve të tjera, përfshirë këtu ripërdorimin, riciklimin dhe kthimin, dhe intensiteti nuk kalon 50 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot shtesë, që prodhon/mbart përfituesi, krahasuar me një prodhim konvencional, me kapacitet të njëjtë, por që nuk përfshin menaxhimin e humbjeve. Intensiteti i ndihmës rritet me 20 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe me 10 për qind për ndërmarrjet e mesme.

c)     Investim për ndërmarrjet, që merren me riparimin e dëmeve mjedisore, duke rehabilituar zonat e ndotura, në qoftë se ndërmarrja, që ka shkaktuar ndotjen, nuk është identifikuar dhe intensiteti i ndihmës mund të arrijë deri në 100 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot për punën rregulluese, duke i zbritur rritjen e çmimit të tokës.

ç)  Investim për prodhimin e kombinuar e me efiçencë të lartë të energjisë dhe nxehtësisë, në qoftë se intensiteti nuk kalon 45 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot shtesë, që prodhon/mbart përfituesi, krahasuar me një investim referencë. Intensiteti i ndihmës rritet me 20 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe me 10 për qind për ndërmarrjet e mesme.

Neni 13/2

Ndihma në formën e riskut të kapitalit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

 

Skemat e ndihmës në formën e riskut të kapitalit për ndërmarrjet e vogla e të mesme lejohen vetëm nëse:

a)     masa e ndihmës ka formën e pjesëmarrjes në një fond fitimprurës privat investimesh, të menaxhuar në kushtet e tregut;

b)     këstet, që u jepen ndërmarrjeve përfituese nga fondi i investimit gjatë një periudhe prej 12 muajsh, nuk duhet të kalojnë vlerën 200 000 euro;

c)     risku i kapitalit kufizohet vetëm në ofrimin e kapitalit bazë, kapitalit themeltar dhe/ose për zgjerimin e kapitalit;

ç) nga fondi i investimit investohet në ndërmarrjet e vogla e të mesme përfituese në formën e kuotave, të aksioneve ose obligacioneve të konvertueshme në aksione, të paktën 70 për qind e buxhetit të tij të përgjithshëm;

d) investitorët privatë mbulojnë jo më pak se 25 për qind të financimit të fondit të investimeve.”.

Neni 10

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA  TOPALLI


11/06/2009 Votoni per projektligjin PO:       JO: 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›