TKOB-RA-NDOT
Besmir Vokopola
Mesa duket kemi të bëjmë me një prej qyteteve më bashkëkohore në botë, me një histori klasike tashmë të hedhur mbi supe. Kështu do të shprehej cilido kritik nëse do ti binte rasti të ndiqte një prej shfaqjeve të fundit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. E tillë të jetë vallë Tirana? Apo mbase forma bashkëkohore e sheshit të ri të saj ka kontaminuar dhe këtë institucion. Pas Flautit Magjik triumfit të fundit regjisorial të jetë Turandot-i prejae radhës? Apo preja e kësaj here të jetë vetë regjisori?
Domosdoshmëria e frymës bashkëkohore në teatrin e ditëve të sotme është e pamohueshme. Shumë prej tyre kanë qenë një sukses i padiskutueshëm me gjithë morinë e gojëve të liga që gjithmonë përfaqësohen nga kritikët. Kemi parë bija faraonësh të përshtatura në adoleshente të alkoolizuara (vështirë të parashikohej) apo (vështirë ta pranonte një faraon). E megjithëse kritika nuk ka qenë aspak bujare për këto deformime që u bëhen veprave sipas tyre, sot në pjesën më të madhe të teatrove botërore, kjo sjellja në kohë është shumë e parapëlqyer e në më të shumtën e rasteve jo nga publiku por nga vetë institucioni. Kriza ekonomike nuk mund të mos prekte dhe një institucion të tillë siç është teatri, kërkesat e të cilit duhen mbështetur nga një buxhet i qëndrueshëm ose më qartë: nga një shumë e madhe të hollash. Artefica që përdoret në këtë rast është termi bashkëkohor dhe nevoja e modernizimit. E duke qenë se muzika është rigorozisht e paprekshme regjisorit i jepet fleta e bardhë ku mund të dizajnojë konceptin e tij të lirë, brenda kufijve të një buxheti të miratuar. Shfaqjet luksoze të Franco Zeffirelli-t prej qindra e mijëra eurosh janë shumë larg preferencave ekonomiketë kohëve të fundit. Megjithatë, këto eksperimente të ditëve të sotme kryesisht përqafohen nga vende me një traditë të konsoliduar të artit klasik. A është gati Tirana që përpos enigmave të Turandot-it të përballet me një shfaqje kaq bashkëkohore ndërkohë që historia e kësaj vepre në teatrin tonë është shumë e shkurtër, për të qenë më korrekt vetëm një herë ?
Parashikimet tona nuk gabuan. Duke pritur që perdja e konsumuar nga koha, të ngrihej, një zhurmë sa vinte e bëhej më prezent në korridorin e katit të parë. Me gjithë frymën e re që kjo shfaqje premtonte të sillte, vështirë të mendohej se shfaqja do të zhvillohej jashtë dyerve të sallës së tejmbushur. Mbase regjisori kish tentuar të krijonte një raport jo të drejtpërdrejtë mes publikut dhe skenës. Të gjitha këto mendime ia linin vendin njëra-tjetrës. Por ishte një imagjinatë disi e tepruar. Asgjë për tu shqetësuar, – tha dikush. Kori i Teatrit të Operës dhe Baletit nuk dëshironte të ishte pjesë e premierës. Përse vallë?! Bëhej fjalë për mosmarrëveshje me administratën, ku molla e sherrit në këtë rast ishte shpërblimi financiar. E kështu nisi shfaqja, le të themi jo në mënyrën më të mirë të mundshme.
TURANDOT, sipas Nicola Zorzi-t
E qepur enkas për vendin tonë, e inspiruar nga historia e para viteve 90, të regjimit totalitar. Këto ishin disa nga fjalët e drejtorit të Operës, zotit Ciko. Deri këtu shumë mirë, megjithëse një pjesë e mirë e publikut po mendonte mos kishte ngatërruar shfaqje. Po si nisi dhe si përfundoi? Pas kësaj paranteze dhe një mori falënderimesh të Cikos baketa e dirigjentit Edmond Doko nisi të lëvizë. Përballja e parë ishte me një skenë gjigante (brenda mundësive arkitektonike të kësaj të fundit) ku ishte punuar me hapjen deri në limitet e saj. Zhveshur nga dekoret hapësira e ndarë në tre pjesë: dysheme, podium dhe ballkon, transmetonte epërsinë apo pushtetin e një sheshi diktatorial ku pushteti vjen nga lart-poshtë. Ky konstruksion skenografik qe ndërtuar ashtu siç ia donte zakoni i atyre kohëve. Marrja e mbetjeve të fundit të rekuizitave të operave të shkuara, na kthehu dhe njëherë në kohën ku çdo gjë arnohej. Një foto e përmasave të mëdha në mesin e skenës vërtetonte dyshimet e audiencës. Po, kishim të bënim me oborrin e brendshëm të një kampi përqendrimi komunist ashtu siç dhe u premtua nga Ciko. Ky koncept përforcohej akoma dhe më shumë nëpërmjet kostumografisë së unifikuar dhe me tonalitete të ftohta. Një grup pionierësh me shall të kuq lidhur ndër qafë krijoi tablonë përfundimtare të revolucionit kinez në Shqipëri. Regjisori me një karrierë të konsoliduar Nicola Zorzi ishte interesuar për të njohur historinë e vendit tonë. Mes materialeve të shumta të shfletuara, i kishte bërë përshtypje një libër ku thuhej se diktatori i vërtetë i vendit tonë i përkiste gjinisë femërore. Shumëkush e ka kuptuar tashmë se për kë bëhet fjalë. Me gjithë vërtetësinë e këtij libri, që vlen për tu diskutuar, Zorzi i impresionuar nga ky rrëfim mendoi se kjo ishte simbolika e duhur për ta lidhur me veprën që i qe ngarkuar. A mjaftonte vetëm ky detaj për të lidhur këto dy femra e më pas për të mbajtur një bosht të tërë historik me këtë analogji? Mesa duket nuk mjaftonte. Ky arsyetim nuk gjente vërtetësi në atë çka u paraqit në skenë. Vështirë të mbahet një vepër e tërë vetëm në një karakteristikë kaq përgjithësuese siç është rasti i përkatësisë gjinore. Mbase pushteti ka qenë një tipar tjetër ku regjisori ka menduar të shkrijë këto dy figura. Nëse do ti qëndronim besnikë historisë së vërtetë 45-vjeçare të diktaturës në dorën e një femre në Shqipëri, analogjia me veprën sërish do qe kontradiktore (për më tepër kur kemi të bëjmë me një përrallë): në rastin e Turandot pushteti i saj është i drejtpërdrejtë pa pasur nevojën e një transmetuesi mashkullor, ndërsa në rastin tonë figura simbol e diktaturës (qoftë kjo vetëm në rolin e një fasade) mbetet një mashkull. Këto janë vetëm disa nga shumë fakte që bien ndesh me veprën Pucciniane . Në intervistat e ndryshme regjisori Zorzi u shpreh se zhveshja e dekoreve është bërë enkas për të vënë në qendër të vëmendjes dhimbjen. Duke kriujuar një tablo të zymtë e të ftohtë skenografike që mbante firmën e Manuela Gasperonit, do të evidentohej dhimbja. Por duke tentuar evidentimin e saj ishte bërë e kundërta. Emocionet e forta të dhimbjes ishin të pafuqishme të thyenin muret e ftohta të skenës. Kjo si pasojë edhe e interpretimeve kryesisht të vakëta. Për të mos folur për ngërdheshjet apo të qeshurat e rojeve të Turandot, të cilët iu mirëbesuan Ushtarëve të Gardës. E gjithë këtij ansambli i shtohej dhe përkthimi i përhershëm alla-Google Translate. Si një rezyme mund të themi që tentativa e Zorzit mbetet në thelb interesante por realizimi mbetej shumë larg asaj çka ishte premtuar. Intuita e këtij regjisori të talentuar nuk ka gabuar në rastet e sjelljes në skenën e teatrit tonë shfaqje të denja si: Rigoletto, Norma apo Lucia di Lammermoor. Rasti i Turandot mbetet i diskutueshëm.
TURANDOT, sipas Giacomo Puccini-t
E kompozuar prej tij dhe me libertin e Giuseppe Adami-t dhe Renato Simoni-t, Puccini i mbeti besnik historisë së Carlo Gozzi-t. Ekstrakti fillestar është marrë nga një prej përrallave të librit Një mijë e një ditë. Turandot apo bija e Turanit (vend në Azinë Qendrore të perandorisë Perse të dikurshme), është personazhi kryesor. Historia zhvillohet në Pekin ku princa të shumë vendeve të huaja vinin për të sfiduar fatin e për tu përballur me 3 enigmat e saj. Rezultati final do të ishte: vdekja ose martesa. Në fillim të aktit të parë, ndërkohë që një mandarin anuncon ligjin e vendit, princi i Persisë dërgohet për tju prerë koka, si pasojë e dështimit në gjetjen e enigmave. Calàf nuk trembet përpara këtij fakti. Ai mbetet i goditur nga bukuria e Princeshës së Akullt. Të kota janë lutjet e Timurit, babait të tij njëkohësisht dhe Mbreti i Tartarëve, si dhe të skllaves Liù. Kjo e fundit i shpreh dashurine e saj naive dhe arsyen pse i kishte qëndruar besnike plakut të verbër. Me gjithë përpjekjet e Ping, Pang dhe Pong për të ndaluar Calàf-in, ai arrin ti bjerë 3 herë gongut, që simbolikisht përkthehej në përballjen me enigmat famëkeqe të Turandot-it. Në aktin e dytë trio e ministrave Ping, Pang dhe Pong përgatisin procedurat nëse princi do të dalë fitimtar apo do të dështojë