TURQI – Qeveria paraqet kërkesën për t’u bashkuar me BRICS

STAMBOLL, 3 shtator /ATSH-DPA/ – Turqia ka paraqitur kërkesën e saj për t’u bashkuar me grupin BRICS të ekonomive të mëdha në zhvillim, tha sot zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet, Ömer Celik.
“Kërkesa jonë në këtë çështje është e qartë, një proces është duke u zhvilluar,” u tha Celik gazetarëve në Ankara.
Çeliku nuk dha detaje të mëtejshme se kur është paraqitur kërkesa nga Turqia.
“Publiku do të informohet sapo të ketë rezultate”, tha ai.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga shtetet e BRICS, të cilat përfshijnë Rusinë, Brazilin, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut. Irani është gjithashtu anëtar që nga janari.
Grupi i vendeve të mëdha në zhvillim dominohet nga Rusia dhe Kina. Ai do të mblidhet në tetor në Kazan, Rusi.
Nëse kërkesa konfirmohet, Turqia do të jetë vendi i parë i NATO-s që do t’i bashkohet grupit.
Qëllimi i aleancës është të kundërbalancojë dominimin gjeopolitik dhe ekonomik të Perëndimit.
Vendet e BRICS gjithashtu duan të reduktojnë varësinë e tyre nga dollari amerikan si monedhë rezervë globale.
“Vendet e BRICS deri më tani përbëjnë 42% të popullsisë së botës, 30% të sipërfaqes globale të tokës dhe 24% të prodhimit ekonomik global”, sipas informacionit të BRICS. //a.i/