E Diel, 1 Nëntor 2026

TURQI – Vritet një i dyshuar i ISIS-it para samitit të NATO-s

ANKARA, 24 qershor /ATSH-ANSA/ – Një person i dyshuar si anëtar i grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS)  është vrarë në një shkëmbim zjarri me forcat e rendit në Ankara, gjatë një operacioni për arrestimin e personave të dyshuar për lidhje me të ashtuquajturin Shtet Islamik, përpara samitit të NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik.

Sipas televizionit turk NTV, policia bastisi një banesë në zonën e Haymanas, në provincën e Ankarasë, ku ndodhej i dyshuari.

Autoritetet pretendojnë se ai kishte dhënë udhëzime për kryerjen e një sulmi përmes rrjeteve sociale përpara samitit të NATO-s.

Gjatë operacionit shpërtheu një përpleshje me armë mes policisë dhe të dyshuarit.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, i dyshuari mbeti i vrarë, ndërsa bashkëshortja e tij u plagos.

Autoritetet turke kanë shtuar masat e sigurisë përpara samitit të NATO, ndërsa hetimet mbi rastin vazhdojnë.

Në samitin e NATO-s, pritet të marrin pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, pjesëmarrja e të cilit është konfirmuar nga zyrtarët amerikanë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe liderë të tjerë te vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›