E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konkurrenca: 18 monitorime dhe 7 hetime gjatë 2025-ës, fokus tregjet sensitive dhe mbrojtja e konsumatorit

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale shqyrtoi projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025” dhe rekomandimet për vitin 2026.

Gjatë mbledhjes, kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, theksoi rolin e institucionit në garantimin e konkurrencës së ndershme dhe ndikimin e ndërhyrjeve të tij në treg, përfshirë edhe frenimin e rritjes së çmimeve në disa produkte bazë gjatë periudhave festive.

Relatorja Ilva Gjuzi vlerësoi se Autoriteti i Konkurrencës është një institucion kyç në monitorimin e tregjeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve, duke theksuar se ndikimi i konkurrencës reflektohet drejtpërdrejt në çmimet e produkteve bazë, shërbimet telefonike dhe ato bankare.

“Gjatë vitit 2025 Autoriteti i Konkurrencës ka kryer 18 monitorime në tregje, 7 procedura hetimore dhe ka shqyrtuar 83 ankesa, si dhe ka marrë vendime në tregje të ndryshme, përfshirë fruta-perimet dhe telekomunikacionin”, tha Gjuzi.

Ajo theksoi se institucioni ka analizuar tregje sensitive në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe ka rekomanduar masa për rritjen e transparencës së çmimeve. Megjithatë, sipas saj, “raporti vjetor duhet të shoqërohet me indikatorë më të qartë të performancës, për të matur efektin real të ndërhyrjeve në treg”.

Referuar rekomandimeve të parashtruara në projektrezolutën përvitin 2026, për Autoritetin e Konkurrencës Gjuzi kërkoi që “AK të raportojë në mënyrë periodike çdo katër muaj në Kuvend mbi masat e marra dhe zbatimin e tyre, në funksion të rritjes së transparencës dhe përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian, si dhe forcim të bashkëpunimit institucional për zbatimin efektiv të vendimeve”.

Duke marrë fjalën, Biba bëri të ditur se gjatë vitit 2025 Autoriteti i Konkurrencës ka marrë rreth 100 vendime, ndërsa ndërhyrjet e institucionit kanë ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve për produktet e shportës në periudha të caktuara veçanërisht në festat e fundvitit.

A tha se “janë kryer hetime në tregje të ndryshme, përfshirë sigurimet e detyrueshme, telekomunikacionin, tregun bankar dhe atë të fruta-perimeve, si dhe janë dhënë rekomandime për institucione publike në sektorë strategjikë si energjia dhe financat”.

“Mbi 70% e vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës janë lënë në fuqi nga gjykatat, duke vlerësuar përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit europian dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Biba.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›