E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Ekonomia shqiptare ka humbur 250 milionë euro si pasojë e zhvlerësimit të euros

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku u shpreh sot në një videomesazh se korrupsioni ka prekur jetën e përditshme të shqiptarëve, duke i dhënë “goditje” edhe prodhimit vendas “Made in Albania”.

Tabaku theksoi se sistemi i korruptuar, për të cilin çdo ditë dalin prova të reja publike, nuk është i kufizuar vetëm tek infrastruktura apo projektet e mëdha, por ka prekur të gjithë ekonominë shqiptare, nga energjia dhe teknologjia e informacionit, te bujqësia dhe fasonët, dy sektorët kryesorë të prodhimit vendas.

Duke marrë si shembull bujqësinë, Tabaku shpjegoi se kjo degë jetike e ekonomisë është shkatërruar si pasojë e një politike të qëllimshme që favorizon pakicën dhe lë shumicën e fermerëve në mjerim. Ajo theksoi se vetëm në muajt e fundit ekonomia shqiptare ka humbur rreth 250 milionë euro si pasojë e zhvlerësimit të euros, një goditje e rëndë që ka prekur drejtpërdrejt fermerët dhe prodhimin vendas.

Sipas Tabakut, bujqësia, e cila dikur përbënte rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sot ka rënë ndjeshëm, ndërsa kostot dhe barra fiskale mbi fermerët janë rritur.

Tabaku u shpreh se kjo situatë nuk ka ardhur rastësisht, por si pasojë e orientimit të fondeve publike drejt një pakice fermerësh të mëdhenj, duke lënë fshatin dhe shumicën e fermerëve pa mbështetje reale.

Deputetja e PD-së u ndal edhe te politikat fiskale, të cilat, sipas saj, kanë qenë vazhdimisht mbi kurrizin e shumicës dhe në funksion të pakicës, duke rënduar fermerët me rreth 20% kosto shtesë, ndërkohë që subvencionet kanë munguar ose janë shpërndarë në mënyrë klienteliste.

Në përfundim, Tabaku tha se ky sistem i korruptuar ka prodhuar një ekonomi të kapur, ku prodhimi vendas po dështon, bujqësia dhe fasonët po shuhen, dhe Shqipëria po zbrazet. Ajo nënvizoi se kjo nuk është një çështje e izoluar, por një fenomen i përhapur në të gjitha nivelet e pushtetit, nga drejtorët te ministrat dhe se ky realitet duhet dhe mund të ndryshojë.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›