E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Ndryshimet ligjore për t’i hapur rrugë parqeve fotovoltaike dhe eolike në tokat bujqësore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh kryetare e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, tha sot se qeveria miratoi një ligj që lejon përdorimin e tokës bujqësore edhe për ndërtimin e parqeve eolike dhe fotovoltaike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se toka bujqësore po vihet në dispozicion të investimeve në energjinë e rinovueshme “pa kritere, pa parime dhe pa rregulla të qarta”, ndërsa shtoi se integrimi europian po përdoret si argument për të justifikuar ndryshimet ligjore.

Sipas deputetes demokrate, procesi i integrimit kërkon mbrojtjen e tokës bujqësore dhe mbështetjen e bujqësisë, por jo ndryshime që, sipas saj, favorizojnë interesa të caktuara. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje nëse ekzistojnë kërkesa konkrete për ndërtimin e parqeve eolike apo fotovoltaike që kanë diktuar ndryshimin e ligjit.

“Sigurisht që kjo çështje lidhet me procesin e integrimit, sepse ne duhet të sigurohemi që bujqësia të jetë prioritet, që të mbrohet mjedisi dhe që të mbrohet toka bujqësore. Por ky nuk është rasti. Ata thjesht po e përdorin integrimin si justifikim për interesat e tyre të radhës. A ka ndonjë kërkesë konkrete për parqe eolike apo fotovoltaike, për të cilën po ndryshohet ligji?”, tha ajo.

Tabaku u ndal edhe te gjendja e sektorit bujqësor, duke theksuar se fondet për bujqësinë janë ulur, ndërsa pesha e këtij sektori në ekonomi ka rënë nga rreth 20% në 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe, sipas saj, është në rënie të mëtejshme.

“Fondet e IPARD-it i mungojnë sektorit të bujqësisë, ndërsa produktet shqiptare po e kanë gjithnjë e më të vështirë të shiten jashtë. Për shkak të zhvlerësimit të euros me rreth 30%, ato kanë humbur konkurrueshmërinë, duke e vendosur sot fermerin shqiptar në kushtet e mbijetesës”, tha Tabaku.

Në përfundim, deputetja e PD-së tha se qeveria po ndryshon ligjet për të favorizuar interesa të veçanta dhe jo për të mbështetur fermerët apo për të mbrojtur tokën bujqësore.

“Ajo merr masa për klientët e radhës, duke ndryshuar ligjet sa herë që ndryshojnë interesat që duhet të favorizohen. E njëjta gjë po ndodh edhe me shitjen dhe tjetërsimin e tokës bujqësore. Nuk ka asnjë kërkesë nga Bashkimi Europian për këtë. Është thjesht kërkesa e klientit të radhës. Këtë sistem duhet të ndryshojmë: Parlamentin e kthyer në noter të ligjeve të bizneseve”, u shpreh Tabaku.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›