Salla: 13.5 milionë euro për periudhën 2026–2030 për sigurinë ushqimore

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes me Gjermaninë për Bashkëpunim Teknik 2025”.
Gjatë prezantimit, Salla theksoi se marrëveshja krijon bazën ligjore për zbatimin e projektit EU4Food Safety.
“Ky nuk është thjesht një projekt bashkëpunimi, ai është një instrument strategjik që mbështet një nga prioritetet tona më të rëndësishme: ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë”, theksoi ministri.
Sipas tij, “sot, BE nuk kërkon vetëm miratimin e ligjeve por kërkon institucione që funksionojnë, kontrolle efektive, laboratorë të besueshëm dhe një administratë që zbaton në praktikë standardet evropiane”.
“Pikërisht këtë synon të ndërtojë ky projekt. Objektivi i tij është të mbështesë Shqipërinë në ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore, plotësisht të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Ai do të forcojë institucionet përgjegjëse për kontrollin zyrtar, do të modernizojë procedurat e inspektimit dhe kapacitetet laboratorike, do të mbështesë harmonizimin e legjislacionit dhe zbatimin efektiv të tij, si dhe do të kontribuojë në përmbushjen e kritereve mbyllëse të Kapitullit 12”, shtoi Salla.
Në këtë mënyrë, ministri theksoi se projekti nuk ndihmon vetëm procesin e negociatave, por ndërton një sistem më efikas, më transparent dhe më të besueshëm për qytetarët dhe biznesin.
Po ashtu, Salla informoi se përmes kësaj marrëveshjeje, Qeveria Gjermane kontribuon me një grant prej 1 milion eurosh, ndërsa Bashkimi Evropian financon projektin me 12.5 milionë euro të tjera, duke e çuar mbështetjen totale në 13.5 milionë euro për periudhën 2026–2030.
“Kjo është një dëshmi e besimit që partnerët tanë evropianë kanë ndaj institucioneve shqiptare dhe reformave që po ndërmarrim në kuadër të procesit të anëtarësimit. Po aq e rëndësishme është edhe ekspertiza që sjell ky projekt kjo do të thotë se Shqipëria nuk përfiton vetëm financim, por edhe përvojën dhe praktikat më të mira të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, u shpreh Balla.
Ministri theksoi se Kapitulli 12 është ndër kapitujt më kompleksë të negociatave me Bashkimin Evropian, sepse lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve, mbrojtjen e bimëve dhe shëndetin publik.
“Për këtë arsye, ky projekt fokusohet tek ajo që ka më shumë rëndësi: zbatimi i standardeve në praktikë. Ky projekt do të na ndihmojë të kalojmë nga përafrimi formal i legjislacionit drejt zbatimit efektiv të tij. Ai demonstron se Shqipëria po ecën drejt Bashkimit Evropian jo vetëm përmes angazhimeve politike, por përmes reformave konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme”, shtoi Salla.
/m.m/ /a.g/