Tabaku: Projektbuxheti 2026 nuk ofron zgjidhje për qytetarët

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2026 nuk reflekton nevojat e qytetarëve dhe nuk sjell një model të ri ekonomik për Shqipërinë.
Në një deklaratë të saj, Tabaku u shpreh se projektbuxheti 2026 nuk është as për pensionistët, as për sipërmarrjen, as për familjet, por përfaqëson vetëm një rutinë buxhetore që nuk ofron shtysë për ekonominë shqiptare.
“Modeli ekonomik shqiptar nuk prodhon më. Nuk mundet që ekonomia shqiptare të ketë ekonomi betoni. Eksportet kanë rënë, bujqësia është në krizë, ndërsa sektorë të tjerë si fasoni, që mbanin deri dje eksportet dhe punësimin, janë në rënie”, u shpreh ajo.
Tabaku theksoi se, megjithëse taksat janë rritur vit pas viti, buxheti reflekton dy elementë kryesorë: ekonominë informale dhe emigrimin e lartë.
“Pjesën më të madhe të këtij buxheti e marrin koncesionet, 130 milionë euro, 9 herë ose 10 herë më shumë se fatura e indeksimit të pensioneve. Dhe të mos harrojmë se 550 milionë euro, gjysma e këtyre koncesioneve, janë në hetim, pasi bëhet fjalë për afera korruptive”, tha ajo.
Sipas Tabakut, sektorët që duhet të ishin prioritet, si bujqësia, arsimi dhe shëndetësia, mbeten të margjinalizuara.
Tabaku theksoi se ky buxhet vazhdon të jetë siç ka qenë në 12 vitet e fundit, i pakicës, jo i qytetarëve apo i sipërmarrjes.
/r.e/a.f/