E Hënë, 2 Nëntor 2026

Themeli: Formalizimi i ekonomisë i domosdoshëm, lehtësitë fiskale nuk duhet të përdoren shpesh

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, deklaroi sot se formalizimi i ekonomisë është i nevojshëm, por praktika e lehtësive fiskale nuk mund të përdoret si instrument i vazhdueshëm.

“Ne konstatojmë, në atë lexim të projektbuxhetit, se ka një përpjekje shtesë për rritjen e formalizimit të ekonomisë, megjithëse praktika e ‘paqes fiskale’ është diçka që duhet përdorur në mënyrë të rrallë. Nuk është një instrument që mund të përdoret në vazhdimësi”, tha Themeli, në fjalën e tij në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, teksa u prezantua projektbuxheti 2026.

Themeli vlerësoi se ekonomia shqiptare karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti, ndaj mund të përfitojë nga rishqyrtimi i shpenzimeve tatimore dhe aplikimi i normave të diferencuara për sektorët me performancë të mirë. Megjithatë, theksoi ai, efektiviteti i këtyre instrumenteve mbetet për t’u vlerësuar.

“Ekonomia shqiptare ka një nivel të lartë informaliteti, patjetër që mund të bëhet më shumë. Diçka që ne e kemi theksuar edhe në buxhetet e mëparshme. Ka nevojë për rishqyrtimin e shpenzimeve tatimore, ose me fjalë të tjera, për aplikimin e normave të diferencuara të sistemit tatimor për sektorë të ekonomisë që kanë një ecuri dhe performancë të mirë. Mbetet për t’u parë efektiviteti i këtyre taksave të ulëta”, tha Themeli.

Sa i përket projeksionit të rritjes ekonomike për vitin 2026, Themeli u shpreh se ai është i arritshëm.

“Ekonomia shqiptare është në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo do të thotë se niveli i kërkesës agregate në ekonominë shqiptare është disi më i lartë se aftësitë e saj për t’iu përgjigjur kësaj kërkese. Të gjithë sektorët po përballen me sfida për burime, qoftë për fuqinë punëtore, qoftë për kapitalet menaxheriale. Sektori i shërbimeve dhe ai i ndërtimit kanë pasur një ritëm të lartë të rritjes së kërkesës dhe kanë qenë të aftë të zhvillojnë biznesin e tyre duke tërhequr fuqi punëtore nga sektorë të tjerë të ekonomisë, gjë që ka krijuar vështirësi në këto sektorë”, u shpreh më tej Themeli.

Ai shtoi se nëse Shqipëria synon të zhvillohet dhe të rrisë produktivitetin dhe mirëqenien, duhet të përqendrohet në investime në kapital fizik.

“Nuk e kam fjalën vetëm për ndërtesa rezidenciale, por për kapital të gjithanshëm për investime publike dhe infrastrukturë bazike, që do të ndikojë në rritjen e sektorit të ndërtimit”, deklaroi Themeli.

Sipas tij, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, industria duhet të japë një kontribut më të madh në rritjen ekonomike. “Ky kontribut nuk duhet të mbështetet vetëm te segmentet tradicionale, si industria tekstile apo ajo e këpucëve, por edhe te sektorët me produktivitet më të lartë, si industria automotive dhe ajo elektronike”, nënvizoi ai.

Në lidhje me mosrealizimin e shpenzimeve publike, Banka e Shqipërisë thekson se ky fenomen është më shumë një çështje e efikasitetit të menaxhimit sesa një problem makroekonomik. Për momentin, shtoi ai, ndikimi në ekonomi ka qenë i kufizuar, pasi ekonomia ndodhet në një cikël pozitiv zhvillimi.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›