E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tabaku: Qeveria, rritje minimale të pensioneve dhe propagandë boshe

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar kritike situatën e pensionistëve në Shqipëri.

Tabaku kritikon ashpër qeverinë për përpjekjet e saj të pamjaftueshme dhe të përkohshme, duke i trajtuar pensionistët si objekt propagande dhe duke u mjaftuar vetëm me foto e takime të radhës.

Deputetja Tabaku theksoi se pensionistët shqiptarë marrin vetëm dyzet për qind të të ardhurave mesatare që pensionistët në vendet e Bashkimit Evropian përfitojnë, ndërsa qeveria pretendon rritje të cilat arrijnë maksimumi njëzet lekë në ditë.

“Kujtojnë se mjafton të shfaqen në publik me buzëqeshje dhe me rritje simbolike për të mbuluar krizën ku pensionistët janë lënë,” shprehet Tabaku.

Ajo e cilëson të papranueshme që, ndërkohë që qeveria pretendon se ka mbledhur më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, këto fonde shkojnë për interesat e pakicës së privilegjuar, për ata që dominojnë sektorët e tenderëve dhe koncesioneve.

“Pensionistët që përbëjnë një të tretën e popullsisë së vendit, janë thjesht vegla propagandistike për këtë qeveri”, vijoi Tabaku, duke theksuar se ata meritojnë shumë më tepër.

Tabaku apelon për një ndryshim të thellë në trajtimin e kësaj shtrese vulnerabël të shoqërisë, duke theksuar se Partia Demokratike do të jetë gjithmonë zëri i tyre në Parlament dhe në çdo forum, ku të drejtat e tyre do të mbrohen. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›