Tabaku: Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për produktivitetin e punës

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot për situatën ekonomike në vend, ndërsa u shpreh se “ekonomia shqiptare nuk po prodhon vlerë”.
Duke iu referuar të dhënave të Institutit të Vjenës (WiiW), Tabaku u shpreh se “Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për produktivitetin e punës, me vetëm 34 580 euro për punonjës në vit, ose 42% të mesatares së Bashkimit Europian”.
Ndërkohë, sipas saj, “vendet e tjera të rajonit janë shumë përpara”.
“Çdo shqiptar që punon sot prodhon mbi 10 mijë euro më pak në vit sesa fqinjët e tij. Kjo paaftësi nuk është rastësi, por pasojë e një modeli të gabuar ekonomik. Një ekonomi që mbështetet tek ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, jo tek prodhimi. Një ekonomi që nuk investon tek teknologjia dhe inovacioni. Një ekonomi që nuk shpërblen punën, por lidhjen”, u shpreh ajo.
Ndërkohë Tabaku theksoi se pagat mbeten më të ulëtat në rajon dhe të rinjtë e profesionistët largohen.
“Një vend me produktivitet të ulët nuk varfërohet brenda natës. Ai zbrazet pak nga pak: nga të rinjtë, nga profesionistët, nga klasa e mesme dhe nga besimi se puna e ndershme të çon përpara. Kjo është Shqipëria e sotme. Një vend ku nuk fiton meritokracia, por një pakicë që përfiton nga një sistem i padrejtë dhe i pabarabartë. Ky nuk është një fat i pashmangshëm, por një zgjedhje politike dhe koha është për ta ndryshuar”, tha Tabaku.
/m.m/a.f/r.e/