E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tabaku reagon pas mbylljes së seancës: E nevojshme të bëjmë transparencë për të ekspozuar korrupsionin

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi pas mbylljes së punimeve të seancës së sotme plenare për shkak të debateve të ashpra mes palëve.

Tabaku tha se është e nevojshme të bëhet transparencë sa më parë për të ekspozuar korrupsionin endemik që, sipas saj, sot i ka zënë fytin Shqipërisë.

“U mbyll shpejt Parlamenti sot, pa na lënë që të diskutojmë për skemën korruptive të Erion Veliajt, që e ka çuar atë para drejtësisë. Për një skemë mirëfilli pastrimi parash, ku përfitimet dhe fondet e bashkisë, shkonin drejtpërdrejt te familjarë të tij, ku përfitimet nga secili që merrte një leje ndërtimi në bashkinë e Tiranës, e nga persona të cilët kishin punë e biznes në bashkinë e Tiranës, i çonin te familja e tij”, theksoi ajo.

Tabaku tha se skema e Erion Veliajt nuk ishte e panjohur për shumëkënd në qytetin e Tiranës dhe në bashkinë e Tiranës.

“Duke nisur nga inceneratorët që shkëlqejnë me mungesën e tyre te 5D, te prishja e Teatrit Kombëtar, e te çdo leje ndërtimi që ai ka dhënë në Tiranë. Por çudia më e madhe është pikërisht kjo skemë pastrimi parash, që shërbente për familjen e tij”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, është e njëjta skemë që është ngritur edhe për të mbajtur në pushtet e për të paguar medie.

“Është e njëjta skemë që është ngritur edhe me fonde publike në shumë institucione të tjera. Është mënyra se si funksionon sot mazhoranca socialiste, është mënyra se si funksionon sot familja socialiste. Është mënyra se si institucionet sot po vidhen, po braktisen institucionet, po përdoren për përfitime personale”, shtoi deputetja Tabaku.

Ajo vuri në dukje se çdo gjë që Veliaj ka akuzuar kundërshtarin, e ka bërë vetë.

“Për këtë, ai sot është para drejtësisë. Sigurisht që ka edhe shumë mëkate të tjera, e asnjë prej tyre nuk do të harrohet, duke filluar me inceneratorin. Po unë besoj që ka nevojë që ne të bëjmë transparencë sa më parë, sa më shpejt, me të gjitha mënyrat që kemi, për të ekspozuar këtë korrupsion endemik që sot i ka zënë fytin Shqipërisë”, deklaroi Tabaku.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›