Tafa: Standardizimi i proceseve brenda institucioneve, çelësi i mbrojtjes kibernetike

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) zhvilloi sot aktivitetin mbi “Qeverisjen e Mirë të Sigurisë Kibernetike”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
Ky ishte takimi i parë i një serie prej gjashtë sesionesh që do të zhvillohen gjatë javëve në vijim, me qëllim ngritjen e një qasjeje të unifikuar kombëtare për menaxhimin, standardizimin dhe mbrojtjen e sigurisë kibernetike në Shqipëri.
Në hapje të aktivitetit, drejtori i përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi se qeverisja e mirë është mburoja më e fortë kundër rreziqeve kibernetike, duke nënvizuar se siguria digjitale nuk varet vetëm nga teknologjia, por mbi të gjitha nga mënyra se si qeveriset dhe standardizohet puna brenda institucioneve.
Sipas tij, standardizimi i proceseve të pune mund të reduktojë deri në 80% të rreziqeve që burojnë nga mungesa e investimeve teknologjike:
“Nëse qeverisim mirë, ne parandalojmë shumicën e sulmeve që lënë gjurmë, sepse siguria fillon nga mënyra si menaxhojmë, si planifikojmë dhe si ndërtojmë standarde për çdo proces”, tha Tafa.
Tafa vuri në dukje se shpesh dobësitë nuk lidhen me mungesën e sistemeve teknologjike, por me keqqeverisjen, mungesën e koordinimit dhe gabimet njerëzore që ndodhin në procese të përditshme pune.
Në fjalën e tij, Drejtori i AKSK theksoi se siguria kibernetike nuk është më një detyrë teknike, por një proces i gjerë qeverisjeje, që kërkon sinkronizim, komunikim të hapur dhe bashkëpunim të vazhdueshëm midis sektorit publik dhe privat.
Ai shtoi se përballë sulmeve gjithnjë e më të sofistikuara, institucionet duhet të kalojnë nga modeli reaktiv drejt qasjes parandaluese, duke e filluar sigurinë që nga strukturimi i punës dhe ndërtimi i standardeve të brendshme.
“Është më e lehtë të parandalosh sesa të “kurosh”’. Prandaj duhet të fillojmë sot me themelin, qeverisjen e mirë kibernetike”, u shpreh ai.
Në vijim të aktivitetit, ekspertët e AKSK prezantuan rregulloren e re të masave të sigurisë sipas VKM Nr. 531, datë 25.09.2025, zhvillimet e fundit mbi sistemin e digjitalizuar të kontrollit dhe verifikimit të sigurisë kibernetike.
Ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të mekanizmave të qeverisjes kibernetike, duke forcuar përgjegjshmërinë institucionale dhe rritur transparencën në raport me sigurinë.
/e.i/r.e/a.f/