E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj: Derbi, një përdhunim i futbollit

Reagimet
Trajneri i Tiranës reagon ashpër dhe hap polemikat në distancë me kryesuesit e Dinamos

Tensioni dhe polemikat kanë vazhduar edhe në përfundim të derbit. Për afro 20 minuta, mediat e ndryshme kanë pritur për të hyrë në ambientet e brendshme të stadiumit “Qemal Stafa”, për shkak të incidenteve në dhomat e zhveshjes, ndërsa akuzat nuk kanë munguar as në deklaratat e drejtuesve të Tiranës. Trajneri Alban Tafaj e ka cilësuar ndeshjen e djeshme një “përdhunim” të futbollit. “Ky ishte një përdhunim i futbollit, as që nuk mund të flasim për një ndeshje normale. është një turp shumë i madh, pasi Dinamo po favorizohet fare hapur”, deklaroi drejtuesi i stolit bardheblu. Ai ka vazhduar edhe më tej me sulmet kundër rivalëve kryeqytetas: “Ata nuk meritojnë të shpallen kampionë, sepse janë një ekip që merr rezultate me brekë nëpër këmbë. Ju e patë shumë mirë në fushën e lojës, që Tirana ishte ekipi më i mirë”. Revoltimi në ambientin bardheblu për humbjen në këtë ndeshje vendimtare për titullin, aty për aty ka nxitur edhe spekulimet se 24 herë kampionët mund të vendosnin të braktisnin kampionatin. Me gjithë pretendimet për atë që e cilëson “favorizim të dukshëm”, Tafaj shtoi: “Absolutisht jo, Tirana nuk do të tërhiqet nga gara, por do të vazhdojë të luajë në Kategorinë Superiore”.
Fjalët e ashpra kanë vazhduar edhe nga presidenti i kampionëve në fuqi, Refik Halili. Pas ngjarjeve të ndeshjes së djeshme, ai ka shfrytëzuar edhe një herë rastin që të sulmojë Federatën Shqiptare të Futbollit, duke e akuzuar për korrupsion. “Sot (dje), me këtë derbi, futbolli mori fund. Federata është e korruptuar dhe prej ditës së nesërme (sotme) do të dërgoj një kërkesë në Prokurori që të nisin hetimet për këtë ndeshje dhe për menaxhimin që federata po i bën kampionatit elitar në vend”, deklaroi numri 1 i klubit. Më tej, Halili shtoi: “Kam dokumente të pakundërshtueshme për abuzime të ndryshme të FSHF-së, ku njëri prej tyre lidhet me ndriçimin e stadiumeve në qytetet më të rëndësishme në vend”.
Në anën tjetër, Shkëlqim Muça ka hedhur poshtë çdo akuzë se skuadra e tij po favorizohet nga gjyqtarët. Drejtuesi i stolit blu e cilësoi fitoren e arritur dje si mjaft të rëndësishme në garën për titull, ndërsa ka preferuar të mos flasë për incidentet në fushë, por edhe jashtë saj. “Ishte një derbi i karakterizuar nga emocionet. Nga ana teknike kemi arritur një fitore shumë të rëndësishme, e cila na konsolidon pozitat në krye të klasifikimit. Dinamo është ekipi më i mirë i kampionatit: kemi më shumë pikë se të gjithë, kryesojmë bindshëm në Superiore dhe kemi zhvilluar ndeshje më të mira. Nuk mendoj se jemi favorizuar nga arbitrat, por gjithçka e kemi arritur me meritë. Incidentet? Për sa u takon episodeve nuk më takon të flas, sepse me këto çështje do të merren organet kompetente në FSHF”, tha Muça.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›