E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizhdili, takim në FSHF: Duam fitoren në tavolinë

Pretendimi
Presidenti i Besës i ka cilësuar gabime teknike vendimet e gjyqtarit në sfidën me Flamurtarin

Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, është paraqitur në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm, Eduard Prodani, ka kërkuar tri pikët në tavolinë. Pretendimi i drejtuesit më të lartë të klubit kavajas ishte se në ndeshjen në Vlorë, gjyqtari ka bërë gabime teknike. Momenti më i diskutuar është padyshim vendimi i kthyer tri herë në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Fillimisht “bilbili” Sadiku ka akorduar goditje këndi, ndërsa pas konsultimit me vijërojtësin, ai ka drejtuar dorën nga pika e penalltisë. Por, pas një rrëmuje në fushë, ku ndeshja u ndërpre për mbi 12 minuta, gjyqtari e ka kthyer sërish vendimin, duke akorduar vetëm goditje këndi. Bizhdili nuk i kursen akuzat as për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, duke e vendosur theksin te presionet që ai ushtroi ndaj “xhaketave të zeza”. “Ajo që ndodhi në fushën e Vlorës ishte një ngjarje e rëndë. I kam telefonuar menjëherë presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili më ka dhënë garanci se institucioni që ai drejton do të marrë vendime të paanshme, pasi i intereson vetëm futbolli i pastër. Pretendimet tona? Ne kërkojmë vetëm atë që na takon dhe jemi të bindur se duhet të marrim tri pikët në tavolinë”, deklaroi Bizhdili. “Ndeshja me Flamurtarin mbaroi që në minutat shtesë të pjesës së parë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që gjyqtari të ndryshojë vendimin pas 20 minutave, ku fillimisht akordoi goditje këndi, pas konsultimit me anësorin penallti dhe më pas sërish goditje nga këndi. Gjithçka ndodhi pas presionit të pazakontë të drejtuesve të ekipit vlonjat, të cilët pushtuan fushën. është e papranueshme. Skuadra ime e la fushën e lojës pa u ekzekutuar goditja e këndit, ndërsa gjyqtari e përfundoi pjesën e parë: ky është gabim teknik, që e bën të pavlefshëm rezultatin e ndeshjes, pa përmendur këtu rastet flagrante që na penalizuan. Nuk mund ta pranojmë vazhdimin e garës, pa u vendosur drejtësia. Duhen marrë masa për drejtuesit e Flamurtarit, sepse atje kryebashkiaku Gjika i futi duart në fyt gjyqtarit dhe e njëjta gjë mund të përsëritet edhe në Korçë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›