Tafaj: Synojnë të demonizojnë punën e mësuesit
Akuzat e Ramës, reagon Ministria e Arsimit
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj reagoi dje ndaj deklaratave të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama për arsimin. Në deklaratën e tij, ministri Tafaj është shprehur se deklaratat e kryesocialistit Rama synojnë të demonizojnë punën e mësuesit. “Edi Rama e kaloi këtë javë duke sulmuar mësuesit, duke bërë akuza të pakuptimta për dhunë të përgjithshme, për përdorim droge. Ai vazhdon me sajesat e ngjizura nga dhoma e tij mavi. Edi Rama vazhdon të dëshmojë se nuk ka respekt për dinjitetin e qytetarëve që janë të fokusuar tek puna dhe synon të demonizojë mësuesit tanë, thjesht si pjesë e strategjisë së tij elektorale. Edi Rama, gjithashtu deklaroi se mësuesit sot janë në nivelin më të ulët profesional në historinë e arsimit tonë, ndërkohë që ata, në procesin mësimor, përdorin kompjuterin, internetin, mjetet dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Edi Rama duhet t’u thotë të gjithë shqiptarëve se çfarë ka kundër mësuesve? Edi Rama tha se mësuesit nuk janë të motivuar për të dhënë mësim. A mendon Edi Rama se dikush bëhet mësues sepse nuk dëshiron të japë mësim? Kjo është një fyerje për çdo mësues në Shqipëri. Akoma më keq, Edi Rama akuzoi mësuesit si shkaktarë të përdorimit të drogës dhe të dhunës në shkolla. A mendon Edi Rama se mësuesit janë shitës të drogës? Edi Rama gjithashtu pohoi se mësuesit po dhunojnë nxënësit. Kjo është përçmuese nga Edi Rama, kur mendon dhe bën akuza të tilla kundër mësuesve. Edi Rama vazhdon t’i sulmojë mësuesit duke thënë që niveli i analfabetizmit është 15 për qind. Në të vërtetë niveli i analfabetizmit është vetëm 2.4 për qind dhe braktisja e shkollës po shkon drejt zeros, falë punës së palodhur të mësuesve tanë, një punë, profesion dhe mision që z. Rama nuk e respekton”, u shpreh Tafaj. Ai theksoi se, “duket qartazi që Edi Rama ka kohë që nuk ka vizituar asnjë shkollë, pasi çdo mësues i mirë do t’i shpjegonte shumë lehtë ndryshimin mes të vërtetës dhe statistikave të sajuara. Edi Rama ka një histori të gjatë sulmi ndaj njerëzve të ndershëm dhe punëtorë. Në fillim, Edi Rama ofendoi të gjithë infermierët, dhe tani ai po sulmon ashpër mësuesit. Ai mund të ketë slogane boshe, por sulmet ndaj infermierëve dhe mësuesve janë thellësisht fyese. Edi Rama u detyrohet ndjesë publike të gjithë mësuesve dhe nxënësve shqiptarë”, tha ministri Tafaj. Ai garantoi se qeveria respekton profesionin, misionin dhe statusin e mësuesit. “Kjo është arsyeja pse kemi dyfishuar pagat, kjo është arsyeja që kemi ulur numrin e nxënësve në klasa, dhe kjo është përsëri arsyeja që kemi ndërtuar shkolla të reja të pajisura me kompjuterë dhe laboratorë shkencorë. Pra, u kemi dhënë mësuesve mjetet e duhura për shkollimin e të rinjve, ndryshime të cilat Edi Rama i ka kundërshtuar, duke detyruar deputetët e tij të votojnë kundër. Ne do të vazhdojmë t’u sigurojmë mësuesve kushtet dhe mjetet që u duhen për të realizuar sa më mirë misionin e tyre. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë maksimalisht punën dhe të rrisim pagat e tyre”, tha më tej ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj.
...