E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Institucionet janë marrë peng nga Berisha

Sajmir Tahiri, deputet i PS-së, tha Topalli vendosi në mënyrë të njëanshme anulimin e seancës parlamentare, duke nënvizuar se “se i ashtuquajturi kryeministër dhe e gjithë tufa e deputetëve e ministrave të pushtetit, iu është kallur frika nga përballja me opozitën në parlament, po njëlloj siç i ka zënë tartakuti nga përballja me popullin”.

“Marioneta grua në krye të Parlamentit që nën urdhrat e Saliut, e ka kthyer Kuvendin në një institucion të marrë peng nga korrupsioni dhe krimi në pushtet, duke çmontuar parlamentarizmin, nuk dallon aspak, nga marionetat burra në komisionin qesharak hetimor, që po synon të marrë peng Presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm, shërbimin informativ, median e pavarur e gazetarët e lirë, e bashkë me ta, kërkon të marrë peng dhe opozitën”, theksoi Tahiri.

Ai shtoi se po zhvillohet një grusht shteti brenda shtetit nga vetë Berisha dhe ushtarët e tij me pushtetin korruptim. “Rreziku që na kanoset të gjithëve, që i kanoset qytetarëve, institucioneve të pavarura kushtetuese, Prokurorit të Përgjithshëm, Presidentit të Republikës, Shërbimit Informativ, gjykatave, mediave të lira dhe çdo institucioni a individi që për Saliun përbën një pengesë në tentativën e tij për të kapur shtetin, është sot më evident se kurrë”, vijoi deputeti opozitar.

Marrja peng e parlamentit, çmontimi i parlamentarizmit, kërcënimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, pengmarrja e institucioneve kushtetuese, korrupsioni qeveritar i pushtetarëve me bllok në dorë dhe varfëria e skajshme e çdo qytetari të zakonshëm, janë disa arsye sipas tij për të dalë në protesta. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-02-03 14:50
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›