E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri-krerëve të policisë: Garantoni jetën e qytetarit, nuk ekzistojnë më të paprekshmit

TIRANË-Ka vetëm pak orë që ka marrë detyrën zyrtarisht si Ministër i Brendshëm dhe Saimir Tahiri ka nisur punën intensivisht. Sot takoi krerët e Policisë së Shtetit ku drejtoi apele të fuqishme, por dhe i garantoi mbështetje çdo drejtuesi e shefi policie aktual. 

“Sot është koha për të ngritur në këmbë Policinë e Shtetit dhe për të garantuar jetën e qytetarëve”,- tha Tahiri në nisje të fjalës së tij.

‘Mbështetje pa kushte për të gjithë ata që detyrën e justifikojnë me punë. Pres maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Presim që qytetarët të mos jenë të dobët e të pasigurit. Askush prej punonjësve prej përmbushjes së detyrës nuk do të pengohet të bëjë detyrën në shërbim të ligjit”,- tha Tahiri. 

Ai theksoi se që sot imuniteti i vetëm është vetëm ligji dhe se nuk duhet të ekzistojë më kultura e pandëshkueshmërisë.
“Nga sot pres të bëni maksimumin pa kompromis. Asnjë polic nuk kthehet mbrapa me telefon. Ju paralajmëroj, nuk ekzistojnë më të paprekshmit, policia të mos njohë asnjë imunitet tjetër përveç ligjit
Që sot do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, askush nuk ka imunitet nga ligji.
Ministri i Brendshëm ka deklaruar se puna me dy standarde e policisë nuk do të tolerohet më, duke kërkuar korrektesë nga punonjësit e Policisë Rrugore.

Ai i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të marrë masa për përjashtimin nga detyra të dy punonjësve të policisë të denoncuar edhe mediatikisht së fundi, pasi sipas tij, pezullimi ështe pak. “SHKB të nisë procedurat dhe ti dërgojë për ndjekje penale’,- tha ai.
Një ditë më parë, vetëm pak kohë pas betimit, Tahiri zhvilloi edhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. 

Sipas tij, respekti për ligjin nuk blihet me para, as me njohje dhe krushqi, pasi askush nuk ka imunitet nga ligji, ndaj sfida kryesore është rikthimi i besimit te Policia e Shtetit.

“Të rishikohet marrja e denoncimeve dhe të ketë rezultat për to, asnjë rast i tillë të mos mbetet pa zgjidhje. Do i japim fund sjelljeve arrogante, pasi forca e parandalimit është më e madhe se forca e ndëshkimit. Krimet e paralajmëruara janë të pafalshme. Nuk do të lejojmë më armëmbajtje pa leje, të cilat përdoren për zgjidhjen e problemeve nga më mediokre”, tha Tahiri.

Në mbyllje të fjalës së tij Tahiri tha se nga sot të gjithë në polici, përfshi dhe atë si ministër janë në provë.

Pas kësaj fjalën e mori drejtori i Policisë së Shtetti, z Hysni Burgaj, i cili garantoi ministrin se policia do të zbatojë çdo detyrë.

Një ditë më parë, vetëm pak kohë pas betimit, Tahiri zhvilloi edhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›