E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri, optimiste për marrëveshjet me Serbinë

Shefja e ekipit dialogues nga Kosova, Edita Tahiri, është optimiste se në datën 20 dhe 21 korrik, me ndihmën e ndërmjetësit të BE-së, Robert Cooper, do të arrihen edhe katër marrëveshje të reja me palën serbe.
Në një intervistë për mediat kosovare, ajo ka paralajmëruar se në “pakon e re”, pritet të hyjnë marrëveshjet për telekomunikacionin, energjinë, tregtinë e lirë dhe regjistrat kadastralë.
 

Zv.kryeministrja Tahiri, nuk ka saktësuar se sa është vlera e dëmit të shkaktuar deri më të tani nga shteti fqinj, por ka thënë se shifrën e saktë do ta nxjerrë një ekip i veçantë i ekspertëve të fushës së energjetikës.
 

“Përllogaritjet e dëmeve janë bërë, por aktualisht është duke punuar një ekip i ekspertëve të kësaj fushe, në mënyrë që të dalim me shifra të sakta. Bëhet fjalë për shuma të mëdha parash, që Serbia do ta ketë për detyrë që t`ia kthejë Kosovës si kompensim”, ka theksuar kryenegociatorja Tahiri.
 

Në kuadër të projekt-marrëveshjes për energji, sipas saj, është paraparë një plan edhe për çështjen e pagesës së energjisë elektrike nga një pjesë e konsumatorëve serbë, të cilët nuk i kanë kryer detyrimer ndaj KEK-ut, që nga paslufta. Një tjetër synim i palës vendëse është që “ta bindë” ekipin homolog, të hyjë në marrëveshje për ndërprerjen e operatorëve ilegalë të telefonisë së lëvizshme dhe fikse serbe.
 

Me çështjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, sipas saj, do të merret një grup trepalësh i udhëhequr nga BE-ja.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›