E Diel, 1 Nëntor 2026

Tajani kërkon pezullimin e Shengenit me Spanjën: Ilegaliteti përbën kërcënim për sigurinë kombëtare

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ka dalë hapur në mbështetje të rivendosjes së kontrolleve kufitare dhe mbylljes së hapësirës Shengen me Spanjën, pas përshkallëzimit të krizës së migracionit në enklavën e Ceutës.

Përmes një reagimi të drejtpërdrejtë në rrjetin social X, kryediplotmati italian dënoi politikat e qeverisë spanjolle, duke mbështetur plotësisht masat e rrepta të paralajmëruara nga Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi.

Sipas Tajanit, kriza e fundit kufitare është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e vendimeve politike të marra nga qeveria spanjolle për legalizimin masiv të emigrantëve pa dokumente.

“Imazhet që mbërrijnë nga Ceuta tregojnë se vendimi i Madridit për t’u dhënë shtetësi spanjolle mbi 500,000 emigrantëve të paligjshëm është thellësisht i gabuar dhe inkurajon trafikimin e qenieve njerëzore.”, tha ai.

Ministri i Jashtëm italian nënvizoi se dhënia e pasaportave spanjolle përkthehet automatikisht në fitim të shtetësisë evropiane dhe të së drejtës për lëvizje të lirë brenda BE-së, element ky që, sipas tij, krijon një “efekt të rrezikshëm tërheqës” për rrjetet klandestine.

Siguria kombëtare në qendër të debatit

Në deklaratën e tij, Tajani theksoi se Italia nuk mund të qëndrojë pasive përballë rrjedhës së pamenaxhuar të migracionit, e cila cenon drejtpërdrejt stabilitetin e vendeve anëtare.

“Unë mbështes mbylljen e zonës Shengen me Spanjën dhe kam besim të plotë në veprimet e Ministrit Piantedosi. Imigracioni i parregullt dhe i pakontrolluar përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare,” përfundoi Tajani.

Ky deklarim i Tajanit rrit tensionet diplomatike brenda Bashkimit Evropian për menaxhimin e kufijve të jashtëm, në një kohë kur situata në Ceutë po mbingarkon strukturat mbrojtëse në jug të kontinentit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›